Nga Dritan Goxhaj
Javën që sapo lamë, artisti sociopat në krye të Kartelit “Rilindja”, organizoi kongresin e kartelit. Midis shumë gjërave që më bënë përshtypje, ishte edhe ulja e delegatëve nëpër dëngje me kashtë. E vrava mëndjen se çfarë ka dashur të shprehi artisti sociopat me këtë veprim simbolik! Kjo, për të vetmen arsye, ngaqë një prej shenjave dalluese të sociopatëve është prirja e tyre për të stimuluar ndjenjat e të tjerëve; detyrimisht që edhe ky veprim, pra kjo simbolikë e barit të thatë në kongres ka dashur të thotë diçka. Por kur dëgjova që shpalosi planin e tij të ardhshëm 5 vjeçar, në të cilin parashihet legalizimi i kultivimit të kanabisit në vëndin tonë, e kuptova që artisti sociopat ka dashur t’i thotë popullit; Këta vitet e ardhshëm do t’i dedikohemi tërësisht bujqësisë duke kultivuar HASHASHIN. Jo se ky kultivim ka munguar deri më sot, larg qoftë, jo. Por këtë rradhë udhëheqësi sociopat, me sa duket, ka vendosur që t’i ndërroi statusin gjithë narkotrafikantëve të kartelit ”Rilindja”, të cilin ky e drejton. Dhe kongresmenët e “Rilindje”-s nuk ja bënë fjalën dysh njësoj si para 8 viteve më herët kur udhëheqësi shpalli aksiomën: “T’i bëjmë edhe malet pjellorë si fushat”. Dhe atëherë, narkotrafikantët e Partisë u lëshuan nëpër male duke i mbjellë ata me hashash, gjoja ilegalisht, duke çuar në vënd direktivën e udhëheqësit të tyre. Por tashmë, duke qenë se kanë sakrifikuar mjaftueshëm për Partinë, për udhëheqësin, për pushtetin si dhe për kartelin mëmë, u shpërblyen që këtë punë ta bëjnë me kanun. Përmes këtij vendimi, udhëheqësi ka vendosur që nga narkotrafikantë, t’i shndërrojë anëtarët e Partisë dhe simpatizantët e tyre në biznesmenë hashashi. Dmth, t’jua legjitimoj kultivimin dhe trafikimin. Tashti, udhëheqësi po mundohet të mbajë peshore midis narkotrafikantëve, që i kanë shërbyer partisw, dhe gaztorëve që i kanë shërbyer po partisë, në mënyrë që mos të lindin pakënaqësira. Kur “zgjedh” investitorë strategjikë e kryetarë bashkie gaztorët, ka vendosur që, fillimisht të bëjë thjesht biznesmenë narkotrafikantët, e pastaj me kalimin e kohës dhe peshën e thasëve me para, ndonjëri edhe mund të bëhet investitor strategjik, se kryetar bashkie i ka bërë më herët. Duke i parë ata kongresmenë (delegatë) të ulur nëpër kashtë, kjo ishte edhe shenja e fillimit të Reformës së Tufëzimit më të ri në vend. Nëse ju kujtohet, kur vendosëm të ndërrohej sistemi ekonomiko-shoqëror, nga Tufëzim Socialist në Tufëzim Demokrat, po me të njëjtët sekretarë partie, e nisëm me parrullën: “E duam Shqipërinë, si gjithe Europa”. Ndërsa sot, duke qënë se kryetari sociopat, është mërzitur me Europën ngaqë ata nuk e dëgjojnë më, pasi ka kohë që është drejtuar nga totalitarizmi Erdoganist, ka vendosur të bëjë tufëzimin e ri të shoqërisë, por nën parrullën tjetër: “E duam Shqipërinë, si gjithë Meksika.” Po ç’lidhje ka Meksika me Tufëzimin Demokratik?!- do të thoni ju. Është përzgjedhur modeli Meksikan, pasi Meksika është një vend ku kartelet drejtojnë dhe kontrollojnë secili nga një territor të caktuar, në të cilët shteti,ose hyn me leje të kartelit, ose hyn me ushtri. Edhe inisiativa që sociopati në krye të kartelit ”Rilindja” ka marrë përsipër të bëjë, duke na e servirur si vendim i popullit, sipas asaj që njihej dikur: “Me urdhër nga lart e me propozim nga poshtë”, do e katandisi Shqipërinë njësoj si Meksika. Sepse tashti këta që deri dje ishin në listat e policisë si narkotrafikantw të paligjshëm, prej sot do të kthehen si me magji, në narkotrafikantw të ligjshëm. Dhe kësaj rradhe, jo vetëm që do quhen biznesmenë, por edhe nuk është çudi që kryetari sociopat në të ardhmen t’i shpalli edhe si shpëtimtarë të ekonomisë së vendit. Edhe pse sasia e parasë që shteti do të përfitojë prej tyre, sipas vet kryetarit të Kartelit mëmë, (Kartelit ”Rilindja”), nuk është më shumë se 0,5% e buxhetit të shtetit. Por ama, duke ua ligjëruar mbjelljen, ai u ligjëron edhe të gjitha korrjet. Gjithashtu, atyre u legjitimon edhe punëtorët edhe ushtarët, për të cilët tashti do paguajnë sigurime shoqërore. Në këtë shtetin tonë të super korruptuar, një zero shtohet kollaj pas çdo lloj shifre. E kështu do vërshojnë këta biznesmenët e rinj të fusin nëpër bankat e nivelit të dytë të gjitha ato para që u kanë mbetur nga blerja e votës për Partinë, nga pagesat për Policinë, nga ndërtimet e pallateve dhe rinovimet çdo 6 muaj të lokaleve dhe butiqeve që posedojnë. Në këtë mënyrë, bankat do të mbulojnë më në fund gropën e kredive të këqija, të atyre investitorëve strategjikë, si Kastrati me shokë, që nuk i kthejnë kurrë paratë që marrin. Dhe kështu, pas nja dy a tre vitesh, ndoshta në prag të zgjedhje të ardhshme, do na thotë që falë vendimit dhe largpamësisë së tij, tashti ja kemi kaluar edhe Kinës në rritje ekonomike. Dhe ashtu, si atëherë kur në pushtet ishte Partia mëmë e pasi fliste udhëheqësi, delegatët çoheshin e i bënin duart gjak duke duartrokitur, edhe këtë rradhë kongresmenët e kashtës (delegatët) desh i gjakosën duart për monologjet sociopatike të udhëheqësit. Atëherë kongresmenët (delegatët) e shprehnin besnikërinë ndaj kryetarit me parrullën: “Parti Enver jemi gati kurdoherë”. Ndërsa këta kongresmenët e sotëm (delegatët) dukej sikur thërrisnin të gjithe njëzëri: (Parti Ed(vin), vetëm ti neve na q…n.” Ps: Shokë, ta gëzojmë kolektivizimin e ri!