Gazetarja shqiptare në Romë, Alba Kepi e ftuar në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv, komentoi deklaratën e Edi Ramës për mediat italiane se kishte kontrabanduar përmes Luigi Di Maio, vaksina Pfizer, në pikun e pandemisë.
Kepi e cilësoi këtë deklaratë si të stilit ‘Rama’ duke thënë se kryeministri mundohet të luaj kartën e lojërave të fjalëve, por harron që për Italinë pandemia është periudha më e errët në historinë e saj dhe deklarata e tij ishte papërgjegjshmëri përpara italianëve.
“Në fakt është një deklaratë e stilit ‘Rama’. Sa herë qe vjen në Itali mundohet që të luaj kartën e simpatisë, e shakave, e lojërave me fjalët për të treguar se ka zotësinë e gjuhës dhe se ka miqësi me botës dhe politikën italiane, por asnjëherë nuk luan atë kartën që presim të gjithë të luaj, të një politikani që ai pretendon, në nivel global. Ishte një deklaratë në të cilën në kufijtë e së të vërtetës ishte e pabesueshme ajo që po dëgjonim. Po deklaronte për një moment kaq të errët, kaq dramatik për historinë italiane, siç është problemi i furnizimit me doza vaksinash në kohën kur në itali vdisnin me qindra persona në vit dhe e bëntë në mënyrë mjaft të lehtë dhe të papërgjegjshme duke e deklaruar përballë një publiku italian”, tha ajo.
Duke shprehur keqardhje mbi këtë situatë, Kepi shtoi se ky lajm ka shokuar ashtu si median italiane por edhe ato të huaja.
“Mua më vjen keq se ajo çka tha, jo vetëm për vaksinën, por edhe për fjalët e tjera… nëse ti kërkon t’i shtjellosh më shumë sa i takon steriotipeve napolitane të shqiptarit që ai përmendi në intervistën e tij, nuk mbeti pa komentuar me reagime jo të mira dhe nga kolegët italianë dhe të huaj. Madje kujtoj që edhe shtypi grek e ka përcjellë lajmin që mbrëmë, pasi edhe në momentin që fliste shumë kolegë më thoshin sesi është e mundur të bëhët një deklaratë e tillë. Duke e njohur se ai shumë herë luan letrën e simpatisë dhe shakave për të qenë një njeri atraktiv porsa i përket gjuhës së tij kaq të lirshme përballë gazetarëve, harron të kuptojë se po i drejtohet edhe një publiku”, shtoi Kepi./SYRI.TV