Koronavirusi mbërrin edhe në jug të Italisë, boshatisen supermarketet

0
83

Italia konfirmoi rastin e saj të parë të koronavirusit në Jug të vendit, pasi një pushuese nga veriu u sëmur, ndërsa ishte duke vizituar Sicilinë, me burrin dhe miqtë e saj, shkruan “Daily Mail”.

Gruaja 66-vjeçare, nga Bergamo, udhëtoi për në kryeqendrën siçiliane të Palermos të premten në mëngjes, përpara se rajoni i vendlindjes së saj, Lombardia, të vendosej në karantinë, pas rritjeve të rasteve.

Ajo pati simptoma të ngjashme me gripin, rreth orës 02:30 të së hënës dhe u vendos në karantinë në dhomën e saj në hotelin “Mercure”, në qendër të qytetit, para se të dërgohej në spital, ku pas testit rezultoi pozitive.

Kryebashkiaku i Palermos, Leoluca Orlando, tha se hoteli qëndron i hapur, por dhoma e gruas është e vendosur në kushtet e sigurisë. 29 persona të tjerë që arritën me të nga Bergamo janë karantinuar në dhomat e tyre, ndërsa 20 anëtarë të stafit janë gjithashtu në regjim karantine.

Lajmet që, infeksioni ishte përhapur shkaktoi panik në Palermo, ndërsa blerësit boshatisën raftet e supermarketeve, dhe po ashtu kryen blerje të shumta medikamentesh në farmaci.

Italia ka konfirmuar deri tani 59 raste të reja të koronavirusit në të gjithë vendin, duke e çuar në 288  numrin e tyre gjithsej, me shtatë të vdekur, ndërkohë që një person u shërua.

Austria dhe Kroacia konfirmuan gjithashtu rastet e tyre të para të sëmundjes, të personave të cilët kishin ardhur nga Italia.