Duke nisur nga nesër në orën 06:00 të mëngjesit, do të futet në fuqi vendimi për të ndaluar qarkullimin e mjeteve private në disa qytete të vendit. Lajmin e dha Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se ndalimi i qarkullimit të do të bëhet deri të dielën në mesnatë.
Do të lëvizin vetëm mjetet shtetërore, autoambulanca dhe automjetetet që kryejnë shërbime publike.
Rama shprehet se këto janë masa të domosdoshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Edi Rama: Ndjesë 1000 herë, po kjo luftë nuk fitohet ndryshe. Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban, drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit. Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranës e Durrësit. Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë.
Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra. Këto masa ekstreme kufizimi të lirisë së qarkullimit janë domosdoshmëri për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të koronavirusit mbi ne dhe të afërmit e të njohurit tanë.
Ky është një “grip” që do të prekë shumë prej nesh! 80% e atyre që do të preken do ta kalojnë pa asnjë shenjë. Kjo do të thotë se gjithkush nga ne mund ta ketë, prandaj edhe spe nuk ndjejmë asgjë, na takon të gjithëve të mbrojmë të moshuarit e të sëmurët rrotull nes, sepse po e transmetuam tek ata u kemi “bërë peshqesh” një hall të madh.
Ndër ata që kanë shenja, janë shumë më pak ata që bëhen për spital, sepse shumica e kalon me sikletin e një gripi të zakonshëm dhe prej atyre që përfundojnë në spital shumica shërohen, por prapëseprapë askush nga nenuk mund dhe nuk duhet të verë bast me probabilitetin tejet të ulët që ai/ajo apo i afërmi i tij/saj të hyjë tek ata që mund të mubasin edhe jetën! Në asnjë mënyrë jo. Kurrën e kurrës!
Frikë aspak, kujdes po! Shumë fare madje!
Kam besim: nuk kemi në dorë ta vrasim armikun e padukshëm që na rrotullohet të gjithëve, duke kërkuar pengje në shtëpitë tona, po kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe me ndihmën e Zotit, të diellit e të rritjes së temperaturave.
Përveç vetëdijësimit sa më të shpejtë, të kufizimit sa më drastik të lëvizjeve të përditshme, respektimit të këshillave të autoriteteve shëndetësore dhe solidaritetetit kumbëtar, duke u bërë njësh shtet/qytetarë, asgjë tjetër s`na duhet edhe asgjë tjetër s`na ndihmon dot. Besim motra e vëllezër besim, ne do ta mundim koronën dhe do të dalim më të fortë nga kjo luftë siç dolëm nga goditja e tmerrshme e tërmetit.
Mediat
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje dhe medieve të akreditojnë mjetet e tyre pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me qëllim që të mund të lëvizin për të kryer shërbimet e tyre.
“Për të kryer shërbimet e tyre informative gjatë “shtet-rrethimit” të fundjavës brenda perimetrit tr-dr mediat televizive duhet të akreditojnë automjetet e trupave të tyre, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë. Ndjesë 1000 herë po kjo luftë nuk fitohet ndryshe”, thotë Rama, i cili përdor edhe fjalën “shtet-rrethim”.