Kosova dhe Serbia me akuza të ndërsjella për moszbatim të marrëveshjeve

0
7
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Vjosa Osmani, thotë se bazuar në raportin e Qeverisë nënkuptohet se 90 për qind e marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. “Një konkludim nga gjitha këto që lexova, nëse shprehim në vëllim apo përqindje moszbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë ato mund të arrijnë në mbi 90 për qind, pra nuk ka marrëveshje të cilën ajo nuk e shkel së paku pjesërisht”, ka deklaruar Osmani.

“Sa i përket Kosovës edhe në raportet e fundit ndërkombëtare flitet vetëm për moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe ndërkaq Kosova për aq sa jemi të informuar ne edhe nga qeveritë paraprake edhe nga kjo e tanishmja i ka zbatuar obligimet e veta që dalin nga të gjitha marrëveshjet tjera”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, edhe nga Beogradi ka fajësime pse Prishtina nuk po e përmbush pjesën e vet të obligimeve. Madje, akuzat shtrihen jo vetëm në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe marrëveshjeve tjera, pjesë e të cilave janë edhe Kosova edhe Serbia, siç është rasti me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale për tregti të lirë.

Pavarësisht se CEFTA nuk bën pjesë në kuadër të marrëveshjeve të Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të vazhdojë me dialogun, përderisa Prishtina të mos e shfuqizojë masën e vendosjes së taksës prej 10 për qind për prodhimet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Moszbatimi i marrëveshjeve ka qenë një ndër problematikat që nga fillimi i dialogut, thotë Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës. Kjo problematikë, nënvizon ajo, e bënë këtë dialog me shumë pikëpyetje në veçanti nëse shishen afatet e parapara për zbatim nga palët në dialog. “Tani kur flasim për atë se sa palët kanë arritur të përmbushin obligimet e tyre patjetër se pala serbe është ajo që në vazhdimësi është bllokuese dhe palë e cila nuk ka marrë përsipër obligimet për të cilat është dakorduar në kuadër të dialogut.

Nga ana tjetër problematika e Kosovës ka qenë në marrëveshjen e Asociacionit të komunave serbe, atë që Serbia gjithmonë e citon”, thekson Krasniqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, pastaj edhe në nivelin politik.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar që në fund të bisedimeve, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e cila pos tjerash, do t’u hapte atyre rrugën e integrimit ne BE.

 

Zjarr Tv Ad