Edhe pse i duhet vetëm 1 pikë për të fituar grupin, në fundin e një fushate fantastike në Ligën e Kombeve, Kosova do të synojë suksesin këtë të martë ndaj Azerbajxhanit. Trajneri Challandes nënvizoi se do të guxojnë ndaj rivalëve në shtëpinë e tyre, edhe pse azerët janë favoritë.
“Shanset për fitore janë 50 me 50 përqind. Azerbajxhani është një skuadër e fortë dhe e mirë, madje është favorit pasi ka shumë më shumë përvojë se ne. Por ne do futemi për fitore dhe jam i bindur se me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë, do t’ia arrijmë qëllimit. Nuk do ta ndërrojmë filozofinë e lojës, edhe pse do të duhet të rrezikojmë”, deklaroi trajneri zviceran.
Edhe mesfushori Valon Berisha theksoi se Azerbajxhani është favorit për shkak të përvojës, por sipas tij fitorja ndaj Maltës i ka dhënë më shumë motiv ekipit.
“Sfida e fundit ishte një fitore tejet domethënëse, por jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes së radhës. Edhe pse barazimi na mjafton nuk duhet të mendojmë për barazim, por duhet të shkojmë për fitore”, deklaroi Berisha.
Ndeshja Kosovë-Azerbajxhan do të zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkallët e të cilit do të jenë të tejmbushura.