Kosovë, 40 mijë humbën punën, deri në shtator, shifra do arrijë 60 mijë po s’ndryshoi situata

0
83
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ekonomia në Kosovë si në çdo vend tjetër të prekur nga pandemia është në gjendje të vështirë. Izolimi dhe masat e ndërmarra nga qeveria pritet të kushtojnë vendin e punës rreth 60 mijë qytetarëve nëse rrethanat do mbeten të njëjtat.

Që prej fillimit të pandemisë në Kosovë në muajin mars, besohet se kanë humbur vendin e punës rreth 40 mijë persona, dhe prirja është që 20 mijë të tjerë t’i shtohen listës së shpejti.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, shumica e të papunëve është shënuar deri në fund të muajit qershor, por as vjeshta nuk rezervon optimizëm.

“…nëse vazhdon ky trend kështu, në fakt mendojmë që fundi i shtatorit do të jetë mbi 60 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës. Njëfarë forme punëtorët obligohen që edhe vetvetiu ta lëshojnë vendin e tyre të punës sepse pagat janë tepër të ulëta dhe pronarët e kompanive gjejnë një shprehje se gjëja nuk kanë punë…”

Azemi thotë se rol të madh në numrin e të papunëve po luajnë kushtet këqija në të cilat punohet.

Ai deklaron se të drejtat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë shkelen më tepër se në çdo vend tjetër të rajonit, e sidomos në këtë kohë pandemie ai thotë se gjendja nuk ka qenë asnjëherë kaq e rëndë.

 “…një gjendje e cila ndoshta organet kompetente që janë e kanë lënë në renditjen e pesë ose gjashtë, kështu që shumë pak po merren me atë. Edhe pse në këtë kohë kemi numrin maksimal i shkeljeve te të drejtave të punëtorëve, duke u nisur nga orari i punës, pagesa e punës, mungesa e pushimit vjetorë, mungesa e pushimeve mjekësore, dhe të gjitha.”

Situata me kovidin-19 në Kosovë mbetet serioze, aktualisht me gati 4 mijë të infektuar aktivë, 250 të rinj vetëm ditën e hënë ndërsa numri i viktimave ka kaluar shifrën 256.

Në shumicën e komunave kosovare janë duke u zhvilluar aktivitete të shtuara të inspektimeve që nga hyrja në fuqi të masave të reja nga Qeveria, janë shtuar veprimet sidomos në fushën e gastronomisë dhe apelet ndaj qytetarëve që të mbajnë maskat gjatë gjithë kohës.

Zjarr Tv Ad