Kosovë, ankesa për rezultatet shkollore

0
12

Nxënësit e ciklit 9-vjeçar në Kosovë do kenë mundësinë të përmirësojnë notat kur të kthehen në shkollë për vitin e ardhshëm mësimor. Shumë prindër kanë mbetur të pakënaqur me rezultatet e fëmijëve për shkak të ndërrimit të mësimdhënies në kushtet e koronavirusit. Kosova javën e kaluar përmbylli procesin mësimor në shkollat vendore, pas të paktën tre muajve ndërprerje të aktivitetit të rregullt për shkak të epidemisë së kovidit të ri. Megjithëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Prishtinë vendosi këtë periudhë ta zëvendësojë me mësimin nëpërmjet internetit, këshillat prindërorë të shkollave ankohen se ndryshimi i mësimdhënies ka krijuar një boshllëk te fëmijët e tyre që është reflektuar padrejtësisht edhe në rezultate më të ulëta vjetore duke dëmtuar interesat e nxënësve. Ankesat vërtiten rreth faktit se një udhëzues i Ministrisë për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit online vërente se nota përfundimtare për një lëndë nuk duhet të jetë më e ulët se ajo e datës 11 mars 2020, kur u ndërpre mësimi i rregullt për nxënësit në shkolla.Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, thotë se prej fillimit të mësimi nga distanca kanë apeluar që vlerësimi të anashkalohet në këtë fazë.“Neve jemi dëshmitarë të situatës kur edhe në kushte normale në një ambient të mirëfilltë shkollor mësimdhënësit kanë vështirësi vlerësimin e nxënësve duke u bazuar në rezultatet e të nxënit të thirrura nga kurrikula.”Problematika ka marrë edhe vëmendjen e ministrit kosovar të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i cili për agjencinë e lajmeve “KosovaPress” deklaron se çdo nxënësi do iu ofrohet një mundësi për përmirësim të notave me rikthimin në bankat e shkollës vitin në vijim.“Jemi në mundësi të cilën jemi duke e shqyrtuar seriozisht, t’iu jepet një afat i caktuar kohor në mënyrë që këta nxënës edhe ata të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në proces për shkak të rrethanave, problemeve të cilat nuk po dua tash t’i komentoj disa nuk kanë pasur qasje, disa nuk kanë pasur pajisje.”Për nxënësit kosovarë ndërprerja e mësimit më 13 mars ishte hera e dytë në 30 vite që ata u detyruan të mësonin nga shtëpia, megjithëse tashmë në kohë paqeje e mundësish teknologjike.Ministrisë së Arsimit në Prishtinë iu desh një javë përgatitje për të filluar publikimin e materialeve mësimore prej klasës së parë deri të pestën në Radio Televizionin e Kosovës dhe në internet, dy javë për materialet për klasat e mbetura dhe për komunitetin turk dhe boshnjak, ndërsa komuniteti serb nuk pranoi të bashkëpunojë në organet shtetërore të Kosovës.