Ajo argumentoi se situata faktike që i është nënshtruar vlerësimit të Komisionit nuk ka pasur asnjë ekuivok në drejtim të sigurisë së faktit se subjekti e kishte humbur statusin e magjistratit. Sipas Mulajt, situata faktike e kësaj çështjeje nuk i përket vendimarrjes së institucioneve të vetingut në objekt të zgjidhjes së çështjes objekt gjykimi. Ndërkohë, është verifikuar se vendimi i ish-KLD-së nuk është ankimuar nga Hoxha dhe ka marrë formë të prerë.
Kolegji shprehet se vendimi i Komisionit është analizuar edhe në funksion të dispozitave ligjore dhe nuk janë konstatuar shkelje ashtu si ka pretenduar Sina.
Sipas vlerësimit të Kolegjit, humbja e statusit të magjistratit me vendim të formës së prerë të institucionit kompetent kushtëzon edhe humbjen e statusit të subjektit të rivlerësimit sipas dispozitave të legjislacionit të vetingut. Mulaj vijoi se vendimi i shkarkimit të Hoxhës, zhbën vetë objektin e procesit të rivlerësimit që synon rivlerësimin e subjekteve sipas kategorizimit ex officio.
“Në këto kushte, mbetur pa objekt procesi i rivlerësimit për Hoxhën e ka humbur qëllmin e tij për sa kohë që qëllimi kushtetues i kthimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë nëpërmjet pastrimit të radhëve të magjistratëve është arritur nëpërmjet shkarkimit nëpërmjet një juridiksioni tjetër kushtetues”, pohoi Mulaj.Sipas KPA, në mungesë të rregullimit të posaçëm për zgjidhjen e një situate të tillë, me të drejtë Komisioni ka aplikuar Kodin e Procedurave Administrative.
Kolegji nuk e gjen të drejtë e të mbështetur në interesin publik ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik, si për shkakun ligjor ashtu edhe për kërkimin e tij për prishjen e vendimit të KPK. Në përfundim, vendimi i KPK për përfundimin e vetingut për Ibrahim Hoxhën pa vendim përfundimtar është gjetur i drejtë nga KPA dhe e ka lënë atë në fuqi.