Kuvendi do të nisë brenda shtatorit përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të komisionit qendror të zgjedhjeve, sipas strukturës së re të këtij institucioni. Për këtë proces opozita jashtëparlamentare do të ketë një përfaqësues në komisionin e që do të kalojë në sitë emrat.
Të mërkurën do të hyjë në fuqi kodi i Ri zgjedhor, i dakordësuar mes PS dhe PD në Këshillin Politik me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe i dekretuar nga President Ilir Meta.
Data 19 gusht i hap rrugë formimit të KQZ-së së re.
Sipas marrëveshjes politike, tashmë të përkthyer në një ligj zgjedhor procedurat për zgjedhjen e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe anëtarëve të KAS-it duhet të fillojë jo më vonë se 30 ditë.
Socialistët nuk do të presin nisjen e sesionit të ri parlamentar me 7 shtator, por burime për RTV ORA bëjnë me dije se brenda muajit Gusht Kuvendi pritet të bëjë thirrje publike për vendet vakante për Komisioner, nënkomisioner, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankesave/Sanksioneve.
Më pas kuvendi do të vazhdojë me procedurat e përcaktuara në Ligj për seleksionimin dhe zgjedhjen e tyre.
Sipas kodit, Komisioneri, Nënkomisioneri, Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it zgjidhen jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Praktikisht, nëse do të respektohen afatet brenda 19 Tetorit duhet të jenë zgjedhur të gjithë anëtarët për të formuar KQZ e re dhe të plotë.
Opozita e bashkuar do të ketë një të dërguar të posaçëm në komisionin e posaçëm parlamentar që do të kalojë në “vetting” kandidatët për KQZ E re, të cilët duhet të marrin shumicë të cilësuar në parlament.
Do të jetë ky organ i ri, i cili brenda 6 muajve duhet të nxjerrë aktet nënligjore si për teknologjinë në zgjedhje gjithashtu duhet të bëjë përgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen në një nga të dielat e 15 prillit-15 maji.
Por pavarësisht kësaj, me ndryshimet kushtetuese të cilat priten të hyjnë në fuqi me 23 gusht, Ligji Zgjedhor do të ketë sërish nevojë të ndryshohet, por ndryshe nga 5 qershori, PS do ta ketë shumë të vështirë të marrë dakordësinë e PD për heqjen e koalicioneve parazgjedhore.