KQZ nuk regjistron Berishën në zgjedhje, “Shtëpia e Lirisë” në garën e 6 marsit vetëm me…

0
66
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

KQZ ka vendosur të regjistrojë koalicionin “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, duke pranuar vetëm dy partitë politike Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane, por jo Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha pas debateve mes përfaqësuesve të PD e LSI, se “Në vlerësimin përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt koalicionin e partive politike LSI dhe PDK, emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe partia udhëheqëse është LSI”.

Më tej, Celibashi sqaroi se simbolet e Partisë Demokratike nuk mund të pranohen në këtë koalicion, sepse cenohet interesi i një force tjetër politike.

“Secili prej jush dha mjaftueshëm argumente mbi çështjen. Ndaj po e përfundojmë këtu diskutimin nga ana juaj. Vlerësimi i KQZ lidhur me këtë kërkesë është: Ne konsiderojmë që, duke arsyetuar dhe pretendimet e përfaqësuesit të PD, së pari për legjitimitetin e kërkesës mbi afatin, ne këtë kërkesë po e shqyrtojmë sot. LSI si parti politike figuron të jetë e regjistruar si subjekt zgjedhor. Nuk mund të them që pretendimi i Logut ishte alogjik, por mendoj se si pretendim nuk ka bazë ligjore. Po shqyrtojmë një kërkesë të rikonfirmuar edhe nga përfaqësuesi i LSI të interesit të tyre për të pasur një koalicion zgjedhor në zgjedhe. Vlerësoj që kërkesa e subjektit zgjedhor LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion, ka legjitimitet të plotë dhe mund e duhet të shqyrtohet si kërkesë.

Lidhur me përmbajtjen e pjesën materiale mendoj dhe vlerësoj që ai pretendim qëndron, sa i përket disa aspekteve identifikuese, qoftë politike, por edhe zgjedhore, të këtij koalicioni, vlerësoj se nuk qëndron kërkesa e Logut për ta kthyer për plotësim kërkesën, pasi do të ishim në këtë situatë, nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. Ne i kemi të gjitha elementet dokumentarë, kemi dhe diçka më shumë, dhe jemi në situatën kur kërkesa në përbërje të saj reflekton konfliktualitet me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Ndaj, kërkesa për të përfshirë në simbole, sigla apo edhe në thelbin e vet elementë që lidhen me PD nuk mund të pranohen. Nga ana tjetër, ajo çfarë vlen më shumë është diskutimi lidhur me ato elementë që mund të krijojnë konfuzion. Në vlerësimin përfundimtar, unë vendos që të regjistroj si subjekt koalicionin e partive politike LSI dhe PDK, emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë” dhe partia udhëheqëse është LSI”, u shpreh Celibashi.

Mbledhja e KQZ u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të PD e LSI:

Përfaqësuesi i PD, Marash Logu: Nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë kërkesë për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Në kërkesën e LSI, në faqen e dytë, thuhet se partitë përbërëse të koalicionit janë LSI, PDK dhe Komisioni i Rithemelimit. Më tej, thuhet se drejtuese e koalicionit është PD e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit.

Në emër të PD, siç është bërë e ditur përmes shkresës, është e qartë se kryetari i PD dhe i vetmi person për të paraqitur kërkesa për regjistrim subjektesh, është Lulzim Basha. Në rastin konkret, nga ana e PD nuk ka, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë lloj kërkese për të qenë pjesëmarrës, drejtues politik apo udhëheqës ndaj një koalicioni politik. Edhe në përmbajtje të kërkesës ka elemente paligjshmërie. Nuk kemi një subjekt të tillë, që quhet PD Komisioni i Rithemelimit. Referenca i bëhet PD, që është regjistruar si subjekt zgjedhor, me kryetar z. Lulzim Basha, me përfaqësues z. Marash Logu dhe Idrit Sefi. Asnjëri prej tyre nuk kanë shprehur dakordësi dhe kërkesë për t’u regjistruar si koalicion. Këto e pamundësojnë që të regjistrohet ky koalicion në atë formë e përmbajtje që është paraqitur në KQZ. Së pari, i mungon afati, se dyti, i ka përfshirë një parti që nuk ka dëshirë të jetë në atë koalicion.

Përfaqësuesi i LSI: Nuk janë logjike ato që tha z. Logu. Ai flet për dispozita ligjore dhe interpreton sipas mënyrës së vet. Direktivat politike të dhëna prej tij nga ai që mban me cdo kusht partinë, duke blinduar dhe dyert e saj, nuk kanë të bëjnë me akte apo karaktere të vet ligjit. Afatet janë që një kërkesë bëhet brenda afateve të caktuara dhe jo jashtë saj. Në këtë rast nuk kemi jashtëligjshmëri. Sa i përket siglës së marrëveshjes, të bërë nga ana jonë me PDK e Komisionin e Rithemelimit, i them z. Logu se faktet tregojnë ndryshe. Nuk mund t’i tregojmë shqiptarëve se në një vend me rreth 2 mijë karrige të fusim 5004 delegatë.

Celibashi: Ju kërkoj të qëndroni te argumenti ligjor, si dhe t’i përmbaheni kohës.

Logu: I bashkohem thirrjes suaj që në këtë sallë të sillemi si juristë, si përfaqësues të ligjit. Nuk i bën nder përfaqësuesit të LSI dhe as atyre që ai përfaqëson që të merret me numër karrigesh. Ky lloj diskutimi nuk do të ekzistojë nga ana ime. Do t’i referohem vetëm ligjit. Ju them se në momentin që është paraqitur kërkesa për regjistrimin e këtij koalicioni, ato që janë pjesë nuk kishin fituar akoma statutin e koalicionit. Kjo është arsyeja pse duhet t’i qëndrojmë strikt afateve. Kuptohet se në momentin që është paraqitur kërkesa, partitë që e kanë paraqitur nuk e kanë pasur këtë të drejtë, sepse nuk ishin njohur akoma si subjekte zgjedhore.

E dyta, në marrëveshje ka një referencë të qartë ndaj PD dhe unë po ju informoj se PD, as përmes kryetarit dhe as përfaqësuesve zyrtarë të saj, nuk ka shprehur e nuk do të shprehë dëshirën për të qenë pjesë e një koalicioni. Duhet t’i lëmë deklaratat politike dhe t’i kthehemi ligjit për të garantuar një proces të rregullt, si dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Përfaqësuesi i LSI: Nuk kam si të dakordësohem me ato që thotë z. Logu. Nuk merret parasysh ajo që thotë ai. Ju po bëni gjithë debatin e fokusuar në këtë seancë të KQZ, duke u kapur te sigla ose te shkronjat nistore të një subjekti, që ne kemi futur në marrëdhënie koalicioni. Nuk është seanca për këtë, duhet të prisni regjistrimin e siglave.

Zjarr Tv Ad