Krasniqi: Viti 2022, prioritetet dhe pritshmëritë reale

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Afrim Krasniqi

Kur flitet për prioritetet e një viti kalendarik ndodh të bëhemi viktimë e rutinës së urimeve të fundvitit: urojmë gjithçka, shëndet dhe mbarësi, lumturi dhe paqe, ditë më të mira dhe suksese në karrierë. Në kulturën tonë duket se nuk kemi diferencë midis urimeve dhe ëndrrave utopike dhe një shoqëri që ëndërron ditën që të arrijë gjithçka dhe menjëherë ka probleme me perceptimin mbi realitetin dhe mbi pritshmëritë. Asnjë vit nuk mund të jetësojë të gjitha pritshmëritë dhe ka vite, të cilat, paraprakisht janë të kushtëzuar të jenë shumë larg dhe pritshmërive mesatare, ndaj urimi më real do të evitonte zhgënjimet e mëdha. 2022 është një vit i tillë.

Në politikë nuk pritet të ketë ndonjë lajm apo zhvillim të rëndësishëm, përveç zgjedhjes (emërimit) të Presidentit të Republikës. Kryeministri i ka votat të emërojë çdo person që ai përzgjedh, ndaj ftesa për zgjedhje konsensuale, për negociata, për krizë politike, është jo relevante. Gjatë tranzicionit PD ka zgjedhur 4+1 presidentë (Berisha, Berisha, Topi, Nishani dhe Moisiu si zgjidhje konsensuale me PS), PS ka zgjedhur 1+3 presidentë (Meidani nga PS, Alia nga PPSH, si dhe Moisiu si zgjidhje konsensuale dhe Meta si zgjidhje e imponuar politike nga LSI). Me siguri PS do të përdorë 74+3 votat e saj për të zgjedhur socialistin/en e dytë në zyrën e Kryetarit të Shtetit.

Zgjedhjet e pjesshme lokale në 6-7 bashki nuk përbëjnë lajm, përveç ndonjë eksperimenti në Shkodër në rivalitetin midis dy PD-ve (PD së LB dhe asaj të SB). As zhvillimet në PD nuk kanë ndonjë vlerë të madhe politikë, pavarësisht se cila palë do të dominojë, kriza do të zgjatet tej 2022 dhe se në thelb, opozita e secilës palë do të jetë shumë më e dobët përballë PS se edhe vetë opozita e 25 prillit. Parimisht, sa më shumë të ketë rivalitet midis grupeve në PD, aq më pak llogaridhënëse do të jetë qeveria dhe aq më lehtë do të jetë për PS për aleanca fluide. Partitë të tjera të reja nuk ka dhe nuk pritet të ketë, LSI, PSD dhe partitë e tjera aktuale mbeten jashtë vendimmarrjes reale politikë deri më 2023. Parlamenti nuk e ka fituar rolin e vendin që i njeh Kushtetuta, zhvillim i pritshëm për një institucion me të përzgjedhur/deleguar dhe të kontrolluar nga 2-3 persona.

Progresi me BE? Nuk pritet ndryshim i rëndësishëm. Veto bullgare, zgjedhjet franceze dhe pengesa të tjera të jashtme ndihmohen negativisht si nga pafuqia jonë për progres e reforma, ashtu edhe nga niveli i lartë i korrupsionit, krizat politike permanente dhe valët e emigrimit drejt BE. Nga ana tjetër 2022 nis me një mundësi të re më reale për Shqipërinë si vend anëtar në Këshillin e Sigurimit. Vota e saj dhe as stafi i përkthyesve që sillen si diplomatë nuk mund të ndikojë në axhendën e OKB dhe KS, por në asnjë aspekt më të gjerë, prania aty mund të ndikojë në rritjen e imazhit ndërkombëtar dhe vëmendjes lobuese për Kosovën. Qeveria shqiptare nuk e ka cituar këtë (ende) në prioritetet e saj në KB, por nëse kjo nuk është, atëherë 2022 mund të jetë shans i humbur. Që të ndikojë në imazh dhe në lobimin për Kosovën së pari Shqipëria duhet të ketë stabilitet politik dhe të mos jetë headline për shkelje të të drejtave të njeriut, dhe së dyti Tirana duhet të heqë dorë nga investimi publik kritik ndaj Kosovës, si në rastin e nismës eksperimentale Tiranë – Beograd, të njohur si Open Balkan.

2022 nuk pritet të sjellë as ndryshime pozitive në aspektin ekonomik e social. Shqipëria ka nivel rekord borxhi publik, ekonomia është në rënie në krahasim me periudhën përpara krizës, investimet e huaja janë “0” prej disa vitesh, ndërkohë që pritshmëritë për kompanitë e mëdha perëndimore janë zëvendësuar me kontrata koncensionare me ndonjë biznesmen nga vendet arabe, Turqia apo Kosova. Shpresa e vetme mbetet turizmi patriotik, edhe ky i kërcënuar nga vetë modeli i tij, – parcelizimi, konfliktet e pronësisë dhe sistemi monopol në treg në funksion të oligarkëve kryesorë.

Reforma të mëdha? As nuk janë premtuar, as nuk gjenden në programin qeverisës, nuk janë as mundësi dhe as alternativë. Le të shpresojmë reforma në drejtësi, pas 5 viteve “reformë” të sjellë “drejtësi” të paktën dalje nga kriza e bllokimit të sistemit. SPAK mbetet headline, por me pak shanse të arrijë tek VIP-ët e politikës së djeshme e të sotme. Më 2022 mund të ketë “axhenda të fshehura” me pasoja e zhvillime të tjera me rëndësi në jetën tonë nëse ne nuk jemi të vëmendshëm për të “kontrolluar” qeverisjen. Ja p.sh, pasi të gjitha hapësirat publike po mbushen nga pallatet shumëkatëshe me burime informale financiare, qeveria premtoi aksionin e banesave të reja, e përkthyer shqip, për të blerë mijëra banesat bosh të oligarkëve të ndërtimit në emër të një programi social për qytetarët. Së fundi u lajmërua se edhe vendet e lira në DAP, “krenaria e sistemit të meritokracisë”, do të mbushen me punonjës politike, një praktikë që nuk gjendet në asnjë përvojë të shteteve demokratike në kohën e sotme. Një akt tjetër është në pritje, të detyrojë të gjithë bizneset private, mediat, OJF-të, profesionet e lira, etj, të mbyllin zyrat në pallatet e banimit për tu zhvendosur në gradaçelat e larta të oligarkisë. Shqipëria, në pjesën më të madhe shekullore të aktivitetit shtetëror është dominuar nga axhenda të tilla, nga rivalitet i ashpër midis nevojave publike, pritshmërive qytetare dhe ofertës gjysmave të politikës, nga risku që qeverisja të drejtojë pa qytetarë dhe sistemi vendimmarrës të jetë vertikal, i personalizuar dhe në funksion të nevojave ditore. 2022 nuk ka asnjë garanci se nuk do të jetë vijim i kësaj praktike negative.

2022 nuk ka në axhendë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe as sociale, akademike apo sportive, ndërkohë që slogane si Tirana kryeqyteti rinor vlejnë vetëm për ca miliarda të reja klienteliste në kompanitë e marketingut politik. Në shikim retrospektiv i viteve 2019-2022 na tregon se të gjitha ngjarjet e rëndësishme nuk kanë qenë pjesë agjende, por produkte të politikës së ditës, nga bojkoti parlamentar, zgjedhjet pa rivalë, paketa kundër medias, ndryshimi online i Kushtetutës, dhe deri tek skandalet e shumta me të dhënat personale, të cilat vetëm sa provuan tezën se oferta e Shqipërisë virtual ishte fake-news, abuzive dhe kilometra larg kulturës shtetërore dhe standardeve të shtetit të së drejtës.

Çfarë mbetet të presim nga 2022? Shikoni mesazhet e urimit në fundviti, të gjithë urojnë njeri tjetrin për shëndetin. E mbani mend sa amatore ishte sjellja jonë me COVID, kur në mars 2020 nxorëm tanket dhe mjetet ushtarake në bulevard kundër tij? Të paktën tani kemi mësuar se COVID nuk sulmohet me tanke dhe gjoba, por me sens përgjegjësie, kujdes familjar, vaksinim dhe ndihmë nga të afërmit tanë jashtë vendit. Me besimin tek trendi global dhe jo tek sistemi ynë abuziv shëndetësor, le të shpresojmë të kemi një situatë më të mirë shëndetësore. Të paktën, shëndetin!

Zjarr Tv Ad