I ftuar në një emision televiziv, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku tha se zgjedhjet që Grupi i Rithemelimit po zhvillon nëpër degë nuk janë gjithëpërfshirëse. Ai u shpreh se kjo vihet re fare qartë nga pjesëmarrja që nuk i kalon 30%, informon Lajme.al
“Nga mbledhja e gjatë e deputetëve prej 8 orësh, që u bë gati një javë që ka ndodhur, më duket absurde që ndërkohë që shumica kërkonte bashkim Në zgjedhjet që po zhvillohen sot në rrethe, niveli më i lartë i pjesëmarrjes është 30%. Pra nuk është përfshirës. Pra a e duan të gjithë bashkimin? Sepse marrëdhëniet e PD me SHBA duhet të jenë të pakushtëzuara”, tha Çollaku.
Duke u ndalur tek lufta opozitare e PD-së, deputeti u shpreh se ajo duhet të fokusohet tek gjetja e një anti-modeli të Ramës. Sipas tij, rivali i Ramës duhet të jetë një figurë me integritet dhe pastërti politike.
“Legjitimitetin nuk e jep PS, por numrat në Parlament. Për aq kohë sa Grupi Parlamentar është shumica, dhe Berisha s’ka një të tillë, do të thotë që PS është detyruar të diskutojë me Enkelejd Alibeaj. Por Rama i ka votat për të zgjedhur presidentin e vet. Nëse vendit i vlen apo jo që të gjithë pushtetet t’i ketë në dorë ai, përfshirë edhe presidentin, përgjigja dihet që është jo.
Unë mendoj që si vullnet politik kjo mazhorancë tërhiqet dhe për ta balancuar t’ia jepte presidentin opozitës, do të ishte mirë për vendin dhe një akt shumë i madh përpara. Pra Rama duhet ta pranojë një akt të ndershëm, duke e bërë hapur dhe qartazi. Nëse pastaj nis loja e kungulleshës, unë mendoj që opozita s’ka pse të futet në një lojë pokeri me Edi Ramën”, tha Çollaku.