Krimet e Rënda kërkesë bankave për të mësuar shumën e grabitur

0
1

Teksa ende nuk ka një shifër zyrtare lidhur me shumën e parave të grabitura në aeroportin e Rinasit me 9 prill të këtij vitit, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka bërë kërkesë 3 bankave të deklarojnë kapitalin që kanë humbur. Kërkesa për deklarimin e parave të grabitura iu është dërguar edhe kompanisë së transportit. Më herët në Kuvend Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pyetur për këtë çështje nga deputeti Myslym Murrizi, tha se shuma grabitur në Rinas është mbi 5 milionë euro.

Si ndodhi supergrabitja:

Grupi i armatosur duke lëvizur me furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” ka hyrë nga porta metalike që shërbente për kalimin e zjarrfikësve, ku kanë spostuar një bllok betoni që përdorej si mbrojtëse dhe më pas kanë prerë zinxhirin dhe kanë hyrë lehtësisht në pistën e fluturimit, ku ndodhej dhe avioni që do transportoheshin paratë, nga Tirana në Vjenë.

Furgoni ka ecur në pistë derisa është afruar pranë bordit të avionit. Më pas autorët të veshur si komando brenda 90 sekondave kanë marrë thasët me para nën kërcënimin e armëve dhe kanë dalë pikërisht nga kjo derë këtu, për të vazhduar më pas në drejtim të Tapizës.

Super-vjedhja ka ndodhur në momentin që po ndërroheshin dhe turnet e stafit të aeroportit.

Punonjësit e sigurisë së aeroportit kanë njoftuar Policinë dhe patrulla më e afërt është vënë në ndjekje të fugonit të grabitësve duke shkëmbyer zjarr me ta pas 950 metrash ndjekje pranë urës së Tapizës, ku mbeti dhe i vdekur Admir Murataj.

Nga të dhënat e para nga grupi hetimor, dyshohet se tre grabitësit e tjerë janë larguar me dy mjete.

Dy prej grabitësve u larguan me makinën që u gjet nga policia e djegur në Bathore dhe një tjetër grabitës është larguar me një furgon të gjetur në zonën e Tapizës.