Krimet mjedisore, Ardi Veliu: Nevojitet një qasje e re, të rritet cilësia e hetimeve

0
46

Një konferencë shkencore për krimet mjedisore dhe sigurinë kombëtare u mbajt sot në Tiranë ku u adresuan problematikat kryesore në këtë fushë.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se në këtë fushë Policia ka bërë hapa konkretë duke arrestuar shumë persona apo duke marrë edhe masa parandaluese.

Po ai shpreh nevojën për të patur një qasje të re ndaj krimeve mjedisore, si në legjislacion ashtu edhe në funksionet dhe strukturat e agjencive ligjzbatuese. Po ashtu Veliu thotë se duhet të rritet cilësia e hetimeve sa i përket veprave penale për krimin mjedisor.

FJALA E ARDI VELIUT NË KONFERENCËN SHKENCORE

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në konferencën e V Shkencore Ndërkombëtare “Krimi mjedisor, siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”

Përshëndetje,

Organizimi i Konferencës së 5-të shkencore, me pjesëmarrje të gjerë kombëtare e ndërkombëtare binjakëzimi me një sërë akademish homologe, tregon se tashmë Akademia e Sigurisë është ngritur dhe vijon të ngrihet në nivelet që kërkohen vërtet për një institucion që përgatit elita dhe breza që prodhojnë siguri për jetën e qytetarëve dhe siguri kombëtare.

Zhvillimi i konferencës së sotme duke trajtuar temën e “Krimit mjedisor, sigurisë mjedisore dhe sigurisë kombëtare” merr një rëndësi të veçantë, pasi parandalimi i krimeve mjedisore është në fokusin e punës së përditshme të strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin.

Policia e Shtetit, në përmbushje të prioriteteve të qeverisë për parandalimin e krimeve mjedisore, vitet e fundit ka intensifikuar veprimet, duke parandaluar ndërtimet pa leje, furrat e gëlqeres, prerjen e paligjshme të pyjeve, gërryerjen e lumenjve dhe ndotjen e tyre, djegien e pyjeve dhe kullotave, ku në të gjithë vendin janë qindra shtetas të arrestuar dhe proceduar.

Ndaj për mua është kënaqësi të përshëndes hapjen e kësaj konference, me bindjen se përfundimet e saj do të jenë domethënëse e inkurajuese në interes të punës së Policisë se Shtetit, por dhe për shumë institucioneve shtetërore që i ngarkon ligji për të marrë dhe zbatuar masa parandaluese në këtë drejtim, pasi parandalimi i krimeve mjedisore është në interes të gjithë shoqërisë.

Shqetësimet për krimet mjedisore dhe sigurinë mjedisore në tërësi janë sot shqetësimet më të mprehta në shkallë globale. Njerëzimi ndodhet përballë kërcënimeve serioze klimatike dhe mjedisore të patrajtuara gjerësisht më parë.

Është kjo arsyeja që institucionet shtetërore dhe çdo qytetar të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit. Policisë i lind detyra të shtojë masat për parandalimin dhe hetimin e krimeve mjedisore.

Janë të shumta krimet mjedisore për të cilat nevojitet një qasje e re. Kjo qasje lidhet sa me përmirësimet ligjore që trajtojnë veprat penale që lidhen me cenimin e mjedisit, aq edhe me funksionet dhe strukturat e agjencive ligjzbatuese, të cilat duhet të parandalojnë e të frenojnë këto akte kriminale ndaj mjedisit.

Që të arrihet suksesi në punën e të gjitha agjencive ligjzbatuese, por edhe në sferën e ligjbërjes, nevojitet trajtimi sa më i saktë dhe sa më informues i problematikave mjedisore. Kontributi më i mirë në këtë drejtim, padyshim që vjen përmes arsimit dhe kërkimit shkencor.

Organizimi i kësaj konference nga Qendra e Kërkimeve Shkencore e Akademisë së Sigurisë dëshmon se sa i nevojshëm është arsimimi cilësor policor dhe kërkimi shkencor në polici.

Realizimi i këtyre konferencave kërkimore shkencore me pjesëmarrjen e eksperteve kombëtarë e ndërkombëtarë përbën një sukses për Akademinë e Sigurisë dhe e ngre në një nivel më të lartë përgatitjen profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit.

E theksova këtë moment, pasi trajtimi i llojeve të veprave penale dhe kuptimi i tyre në lidhje me krimin mjedisor në Shqipëri, i parë në kuadrin ligjor dhe institucional duhet të jenë, jo vetëm pjesë e objektit të punës së Policisë të Shtetit, por duhet të zënë fill që nga programet e cikleve studimore e deri te trajnimet shumë specifike policore.

Nisur nga puna shumë serioze që po bëhet nga të gjitha institucionet për plotësimin e detyrimeve të anëtarësimit në BE, edhe hartimi i një legjislacioni penal mjedisor, të përafruar me legjislacionin e BE-së, është një mbështetje shume solide për rezultatet e institucioneve ligj zbatuese.

Në këtë kontekst, Policisë së Shtetit i del si detyrë intensifikimi i punës së strukturave të saj për shtimin e numrit, por edhe rritjen e cilësisë së hetimit të veprave penale që lidhen me krimet mjedisore.

Nën këtë prizëm do të doja të shihnim edhe këtë konferencë shkencore: si një shtim të përpjekjeve të Policisë së Shtetit për të dhënë kontribut në përmirësimin e strategjive të ardhshme që lidhen me parandalimin e krimit mjedisor dhe me shtimin e sigurisë mjedisore.

Edhe njëherë shpreh bindjen se punimet e konferencës do të jenë një vlerë e shtuar në punën e Policisë, pasi ato do të rezultojnë me përfundime e sugjerime shume të vlefshme!

Faleminderit e suksese!