Kriza, serbët e Kosovës mbyllin dyqanet

0
30
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Tarifa 100 për qind që Prishtina aplikon ndaj Beogradit prej 21 nëntorit 2018 ka detyruar qindra biznese në veri të Kosovës që të ndërpresin aktivitetin. Sipërmarrësit ankohen se prej muajsh nuk po furnizohen me mallrat dhe ushqimet bazë dhe se aksioni i tyre do të vijojë nëse Prishtina nuk i jep fund tarifave maksimaliste.

Serbët e Kosovës në komunat veriore të vendit kanë mbyllur dyqanet në shenjë proteste ndaj tarifës 100 për qind që Prishtina po aplikon kundrejt Beogradit.

Shoqata e sipërmarrësve në veri të Kosovës njoftoi të hënën se aksioni i fundit, siç ishte paralajmëruar, ka solidarizuar të gjitha llojet e bizneseve, hotelet, supermarketet, restorantet, furrat e bukës, floktaritë, serviset e makinave, madje edhe disa pika karburanti.

Bizneset në kufi me Serbinë ankohen se nuk po arrijnë të furnizohen me miell, sheqer, vaj gatimi apo ujë të pijshëm për shkak të tarifave.

Ndërkohë qytetarët serbë refuzojnë të blejnë mallra në Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare, dhe raportohet se i kontrabandojnë ato për t’iu shpëtuar masave fiskale.

Policia kosovare në muajt e fundit ka ndërmarrë aksione për të penguar hyrjen ilegale të mallrave në vend, lëvizje këto që pak javë më parë rezultuan edhe në arrestimin e dhjetëra nëpunësve vendës.

Serbia e ka cilësuar situatën në veri të Kosovës “krizë humanitare”, ndërsa Prishtina ka premtuar se do u sigurojë ndihma çdo qytetari pavarësisht etnisë.

Tarifat e ashtuquajtura maksimaliste që Kosova po zbaton prej nëntorit të kaluar ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës mbi 20 deri 30 milionë euro çdo muaj, bazuar në shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar masa reciproke tregtare, ndërsa qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i nënshtrohet presionit ndërkombëtar për heqjen e tyre.

Çështja e tarifave ishte planifikuar të diskutohej të hënën e 1 korrikut në Paris nga delegacionet e të dyja vendeve, por qëndrimet kategorike të palëve detyruan anulimin dhe shtyrjen e samitit në të ardhmen.

 

Zjarr Tv Ad