Anëtarësia e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, ka votuar një ditë më parë për kandidatët që do të kalojnë në fazën tjetër për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, në zgjedhjet e 25 prillit.
Votimet në këtë qark, u shoqëruan me përplasje, ku u eleminua nga gara deputeti Klevis Balliu, një emër mjaft aktiv në rradhët e Partisë Demokratike gjatë këtyre viteve të fundit, si dhe ish-kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.
Por procesi në degën e Partisë Demokratike të Devollit, është shoqëruar me incidente në fund të numërimit të kutive, ku pati përplasje të ashpra.
Disa mbështetës të ish-kryebashkiakut të Devollit Bledion Nallbati, kanë goditur me grushta kryetarin e PD-së Arben Miza, pasi ky i fundit ka ngritur akuza ndaj Nallbatit, lidhur me blerjen e votave dhe dëmtimin e procesit zgjedhor.
Sakaq me një rekord, prej 740 vota kundër, ish-deputeti i Lulzim Bashës Hekuran Hoxhalli, është votuar masivisht kundër nga strukturat lokale të demokratëve.