Fisnik Qosja, kryebashkiaku i ri i Kavajës u është bashkuar besimtarëve myslimanë në orët e para të mëngjesit të sotëm, për të kryer bashkë me ta faljen e namazit për Kurban Bajramin.
“Nga zemra ju uroj Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan Qosja, duke vijuar mesazhin për këtë festë të bekuar të myslimanëve.
“Mesazhi që sjell kjo ditë e madhe dëshmon që nuk ka provë që nuk kalohet pa besimin në Zot, ndaj lutja ime në këtë mëngjes të shenjtë është për më shumë ditë të mira, për gëzime dhe paqe, për më shumë begati dhe shëndet për gjithësecilin prej nesh, për njerëzit tanë e për familjet tona! Zoti qoftë pranë jush dhe me ju! Amin”, shkruan kryebashkiaku i Kavajës.
Fisnik Qosja u zgjodh kryebashkiak i ri i Kavajës në zgjedhjet e 14 Majit. Ai garonte nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” dhe arriti të merrte më shumë vota se kandidati tjetër i Partisë Socialiste, Redjan Krali, i cili e drejtoi Kavajën në katër vitet e fundit.