Kryebashkiaku Veliaj: Kthejmë shtëpinë e kolosit të letrave Dritëro Agollit në shtëpi muze

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënshkroi sot një memorandum bashkëpunimi me dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi.

Veliaj bëri me dije se ky memorandum nënshkruhet si fillim i bashkëpunimit për projektin e Shtëpisë së Dritëro Agollit dhe në kuadër të Paktit me Universitetin. Gjithashtu kryebashkiaku sqaroi se do të bashkëpunojë me Fakultetin e Histori-Filologjisë edhe për dy shtëpi të tjera muze që do të bëhen, si “Sarajet e Toptanasve” dhe shtëpisë së Libohovitëve.

“Projekti ynë i parë do të jetë puna për të kthyer shtëpinë e Dritëro Agollit në një shtëpi muze. Bashkia e Tiranës e ka nisur një eksperiment të tillë shumë të suksesshëm me shtëpinë Kadare, do të vazhdojmë tani me shtëpinë e Dritëro Agollit. Ndërkohë që do vijojmë edhe me dy shtëpi të tjera muze, si Sarajet dhe shtëpinë e Libohovitëve. Njëra do të adaptohet si zonë muzeale, duke qenë se ka qenë edhe ambasada e parë e SHBA në Shqipëri, legata”, nënvizoi Veliaj.

Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi tha se Universiteti i Tiranës e ka parë si një partner shumë të rëndësishëm Bashkinë e Tiranës.

“Jam i sigurt që Universiteti i Tiranës e mirëpret një bashkëpunim më të gjerë me Bashkinë e Tiranës dhe ne kemi sytë tek bashkia, sepse e dimë që është ombrella që i duhet çdo qytetari të Tiranës, por edhe çdo institucioni që funksionon në Tiranë për të realizuar vepra të mira dhe vepra të rëndësishme për sot dhe për të ardhmen”, u shpreh Laçi.

Dritëro Agolli, kolosi i letrave shqipe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në moshën 86-vjeçare. Shkrimtar, publicist, gazetar dhe politikan që ka lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore për vendin. Shtëpia e Dritëro Agollit në “Rrugën e Dibrës”, ku jetoi e shkroi veprat e paarritshme, do të kthehet në muze, ashtu sikurse u bë me shtëpinë e Ismail Kadaresë.

Zjarr Tv Ad