Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës ka akuzuar Edi Ramën, se është bërë pa asnjë nevojë, avokati kryesor i Aleksandër Vuçiçc.
Zëri i Amerikës: Zonja ministre, Shqipëria ka ndërmarrë një nismë për të hedhur poshtë raportin e të dërguarit të këtij Këshilli, Dick Marttyt, që është në themelet e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë. A ka një bashkërendim mes qeverisë së Kosovës dhe Tiranës zyrtare mbi këto çështje?
Donika Gërvalla – Schwarz: Jo, një bashkërendim nuk ka pasur lidhur me këtë çështje, por ju duhet të më kuptoni që unë nuk komentoj veprimet e qeverisë shqiptare. Unë komentoj marrëdhëniet tona të përbashkëta të cilat janë të mira si rrallëherë në shumë fusha. Është e vërtetë që kemi divergjenca sa i përket ‘Ballkanit të hapur’.
Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksandar) Vuçiçit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare duke i ndihmuar Vuçiçit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, për të qenë shumë e sinqertë, mendoj që asnjëherë më parë marrëveshjet konkrete që kemi me Shqipërinë, nuk kanë qenë të implementuara me një shpejtësi të tillë si deri tani dhe nuk kanë qenë më tepër në kuptimin e asaj që t’u shërbejnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Nëse nuk ka pasur, duhej të kishte?
Donika Gërvalla – Schwarz: Duhej të kishte pasur edhe në të kaluarën, ama ne kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira sa u përket edhe dy qeverive me njëra tjetrën, por edhe sa u përket ministrive veç e veç me njëra tjetrën, sepse jemi të interesuar që marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës t’u shërbejnë qytetarëve dhe jemi të interesuar që të implementojmë sa më shumë prej tyre. Këto 18 muajt e parë të kësaj qeverisjeje kanë treguar se me Shqipërinë mundësitë janë shumë të mëdha, por edhe ritmi me të cilin jemi duke punuar është goxha i lartë. Vendimi për hekurudhën mes Durrësit dhe Prishtinës është një prej tyre që do të jetë tepër i rëndësishëm për ekonominë në Kosovë dhe ekonominë në Shqipëri.