Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka nisur takimet me bazën, duke lënë pas krahëve humbjen e datës 25 Prill. Kryemadhi është ndalur në një takim me mbështetësit në Fier, ku ka theksuar se ky është një pikë kthese për forcën politike që ajo përfaqëson.
“Për ne kontakti me njerëzit mbetet i vazhdueshëm, me përgjegjësi edhe më të shtuara pas masakrës zgjedhore të 25 Prillit. Si në qarqet e tjera, analiza e rezultatit të fushatës për Fierin përmban shumë faktorë, që dita ditës bëhen më të qartë për çdo qytetar, opozitar dhe mbështetës të LSI.
Ky moment është një pikë kthese për forcën tonë politike, që të ringrihet më e fortë në lartësinë e detyrës së ngarkuar nga qindra mijëra votuesit e saj në 25 Prill, si dhe për të përfaqësuar ëndrrat dhe nevojat e brezit të ri, të cilët më shumë se kurrë kanë nevojë për një opozitë të besueshme si alternativë ndaj situatës aktuale”, shkruan Kryemadhi.
Këto takime të kryetares së LSI-së vijnë fill pas përplas*jeve të saj në distancë me kreun e PD-së Lulzim Basha, ku një bashkëpunim në të ardhmen duket shumë pak i mundur.