Kryemadhi uron të gjithë fëmijët për vitin e ri shkollor: Ajo bën premtimin/ Ky është viti i fundit që edukoheni në një sistem arsimor të dëmtuar

0
12

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka qenë e para e cila ka uruar prindërit, fëmijët dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor. Në urimin e saj, Kryemadhi bën premtimin se me ardhjen e opozitës në pushtet do të përmirësohet, duke hedhur akuza në drejtim të qeverisë se ka lënë në harrsë mësuesit e të gjithë hallkat e zhinxhirit arsimor.

“Këtë mëngjes do ta nis me një urim për nisjen e vitit të ri shkollor, drejtuar të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve, e veçanërisht fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Çdo vit nis një fazë e re rrugëtimi drejt dijes, por jam e bindur se ky do të jetë viti i fundit që familjet shqiptare i nisin fëmijët të edukohen në një sistem arsimor të dëmtuar në palcë.

Ky vit shkollor do të jetë edhe më i vështirë, pasi do të përballemi me një situatë atipike, ku ne si prindër, mësuesit por edhe fëmijët do të duhet të përshtatemi me të tjera orare, me një model të ri mësimdhënieje e me një qeveri të paaftë për ta administruar situatën dhe të gatshme që të gjitha dështimet në arsim t’i justifikojë me pandeminë. Në takimet e përditshme me të rinjtë dhe prindërit e tyre i kam ndjerë shqetësimet që kanë për sistemin arsimor, infrastrukturën e dobët, problemet me tekstet shkollore dhe mbi të gjitha mungesën e vizionit për garancinë e një arsimi cilësor. Nga ana tjetër pasojat e tërmetit të nëntorit do të ndihen edhe më shumë në këtë fillim viti shkollor ku qindra fëmijë nuk do të kenë shkolla që i presin e shumë të tjerë do mësojnë në çadra.

Të nënvlerësuar nga qeveria, mësuesit e Shqipërisë janë lënë të vetëm në përballimin e sfidave të këtij viti të ri shkollor, mes kushteve të pafavorshme të punës, pagave shumë të ulëta krahasimisht me kontributin e tyre dhe protokolleve jo efikase anti-Covid-19. Për LSI arsimimi cilësor i brezit të ri ka një rol të patjetërsueshëm për kombin tonë, për ekzistencën e demokracisë dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë tonë. Suksese në misionin më të rëndësishëm kombëtar! Kurajo ta përballojmë me sukses vitin e ri shkollor”,