Kryeministri grek prezanton objektivat politikë për 2020: Rilindim klasën e mesme

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i ka prezantuar parlamentit objektivat konkretë të qeverisë së tij vetëm 2 javë nga fitorja në zgjedhjet parlamentare. Sikurse premtoi në fushatën elektorale, përparësi do i jepet ekonomisë dhe veçanërisht rilindjes së klasës së mesme.

Prioritetet e qeverisë së re greke do të jenë ulja e taksave, hapja e vendeve të punës dhe lufta ndaj krimit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi të shtunën në nisje të debatit treditor për programin politik të demokratëve se objektivat fiskalë janë konsultuar me kreditorët, si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Mitsotakis: “Misioni ynë është që rritjen ekonomike ta ndjejnë të gjithë grekët. Duam t’u japim shanse të rinjve përmes edukimit, të rregullojmë tregun e punës, si edhe t’u ofrojmë shërbim të mirë shëndetësor atyre në nevojë.”

Projektbuxheti i vitit 2020 që do dërgohet në parlament në muajin shtator parashikon masa konkrete si uljen me 22 për qind të taksës së shumëdebatuar mbi pronësinë, uljen graduale të taksës mbi të ardhurat deri në 10 mijë euro nga 22 në 9 për qind, përgjysmimin e dividendit në 5 për qind, shlyerjen e borxheve dhe privatizimin e rrjetit energjetik publik, rihapjen e rafinerisë më të madhe të naftës në vend, dhe vënien në përdorim të aeroportit të Helenikonit.

Ndërsa shumica i mirëpriti propozimet me duartrokitje, ish-kryeministri i “Sirizës” Aleksis Tsipras akuzoi Mitsotakis për centralizim të pushtetit përmes krijimit të një ushtrie këshilltarësh që i raportojnë direkt atij, ndërsa kundërshtoi vendimin për privatizimin e operatorit publik të energjisë dhe qëndrimet e tij politike për çështjet si Maqedonia e Veriut dhe provokacionet e Turqisë.

Kryeministri Mitsotakis i shmangu sulmet ndaj paraardhësit të tij, duke u zotuar vetëm që programi i tij do të rilindë klasën e mesme greke.

 

Zjarr Tv Ad