Kryeministri i Libisë kritikon ‘heshtjen’ e aleatëve ndërkombëtarë

0
2

Kryeministri i Libisë, Fayez al-Serraj, e dënoi, siç tha, “heshtjen” e aleatëve të tij ndërkombëtarë derisa forcat kundërshtare po përparojnë në Tripoli.

Al-Serraj, i cili mbështetet nga Kombet e Bashkuara, po përballet me një kryengritje të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.

Forcat e Haftarit, të cilat mbështesin një administratë paralele në lindje të Libisë, synojnë të vënë nën kontroll edhe kryeqytetin Tripoli. Mbi 200 njerëz janë vrarë prejse kanë nisur luftimet më 4 prill, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Derisa dhuna vazhdon, Al-Serraj tha për BBC-në se njerëzit “kanë nisur të ndjehen të braktisur nga bota”.

Ai tha se dështimi për të mbështetur qeverinë e tij, të njohur ndërkombëtarisht, “mund të çojë në pasoja të tjera”.

Al-Serraj tha se ka rrezik që grupi militant Shteti Islamik të përfitojë nga paqëndrueshmëria.

“Publiku është i irrituar nga heshtja e bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndaljen e armiqësive.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike që nga koha kur sunduesi veteran, Muammar Gaddafi, është përmbysur nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.