Kryeministri po mban peng fillimin e mësimit në universitete!

0
6

Deputeti i LSI Shezai Rrokaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke e bërë përgjegjës se po mban peng fillimin e mësimit ne universitete.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale të “Facebook” Rrokaj shkruan se studentëve nuk i janë plotësuar kërkesat, sikur të mos mjaftonte kjo, shton ai, ky i fundit lëshoi kambalet brenda universiteve për të dhunuar studentët duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin .

Nga Shezai Rrokaj

Kryeministri të heqë dorë nga demagogjia dhe dhuna në universitete. Kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar: nuk është realizuar përgjysmimi i tarifës së masterit dhe për studentët e bachelor-it me mesatare minimale nuk përgjysmohet tarifa prej vitit të ardhshëm.
Kryeministri duhet të kuptojë se kërkesa për përgjysmimin e tyre nuk ka lidhje me rezultatet, por me pamundësinë financiare reale të familjeve shqiptare për ta përballuar.
Gjithashtu Karta e Studentit mbetet e paqartë se çfarë përfshin. Edhe subvencionimi 5% e PBB-së për arsimin cilësor mbetet i parealizuar. Rishikimi i Ligjit, që shkel autonominë, po refuzohet gjithashtu. Pra, të pretendosh se kërkesat janë plotësuar është vetëm demagogji.

Sikur të mos mjaftonte kaq. Qeveria lëshoi kambalet brenda universiteve për të dhunuar studentët duke shkelur në mënyrë flagrante Ligjin dhe një të drejtë universale të fituar. Po kështu qeveria po dhunon çdo ditë edhe drejtuesit dhe profesoratin me kërcënime dhe VKM të paligjshme dhe në shkelje të autonomisë dhe lirisë akademike. Baltosja en bloc e profesoratit është tipar i regjimeve totalitare. Që nga plagjiatura në doktorata, titujt, ryshfeti, korrupsioni e çdo shkelje tjetër është përgjegjësi ligjore individuale z. Kryeministër.

Mos bëni ‘të fortin’ me universitetet. Kthehuni arsyes qytetare! Plotësoni kërkesat dhe mundësoni fillimin e mësimit që vetë Ju po e mbani peng!