Kryeministri Rama deklaron se:”Nuk do ta tërheq padinë ndaj Ramush Haradinaj”

0
67

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ngriti padi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për “shpifje”.

Rama, në padinë 30 faqëshe të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj tij për deklaratat që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”, – thuhet mes tjerash në padi.

Ndaj kësaj padie, Haradinaj pati reaguar duke e quajtur të pabazuar.

“Sot është raportuar në media se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka deponuar padi kundër meje në Gjykatë. Unë, sipas ligjit, do të përgadis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë”, thuhej në reagim.

“Do ta tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”

Mirëpo kryeministri shqiptar më 30 qershor 2020 në vizitën dy ditore në Kosovë, deklaroi se do të tërheqë padinë ndaj ish-kryeministrit, Haradinaj.

“Do ta tërheq padinë jo se ajo është e vogël për mua por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”, tha Rama në një konferencë për media në Prishtinë, në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë”, ka deklaruar Rama.

“Nuk do ta tërheqë padinë ndaj Ramush Haradinajt”

Në emisionin “Çim Peka Live”, Rama nuk i ka qëndruar prapa fjalës së dhënë më 30 qershor. Ai ka thënë se nuk do ta tërheq padinë ndaj ish kryeministrit të Kosovës kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Procesi është në Prishtinë por nuk është një gjyq nga i cili do të tërhiqem. Sepse është e nevojshme të merret vesh e vërteta”, – ka deklaruar Rama.

Ndërsa kur është pyetur për pretendimet se në darkë në shtëpinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në prani të Ramush Haradinajt, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka ngritur problemin se varri i Isa Boletinit do të mbetet jashtë Kosovës nëse ndodhë shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri shqiptar këto i ka mohuar duke thënë se, “Duhet të më referoni burimin se cili është. Nëse është Ramush Haradinaj ajo është një fantazi njëjtë sikur fantazitë e shthurura të Ramush Haradinajt me mua”.

Rama është pyetur edhe për një takim të kërkuar nga ish kryeministri Albin Kurti me kërkesën për koordinim të menaxhimit të pandemisë, takim ky që për Ramën bëhej për “propagandë”.

“Nuk e kam parë të arsyeshme një takim të tillë propagande. Për mua ishte thjesht një shfaqje që nuk e shihja të arsyeshme që të merrja pjesë. Nuk kam pasur probleme me Isa Mustafën. Me Ramushin dihet historia që dihet fare mirë, por nuk ka lidhje me Hashim Thaçin. Por me Albinin nuk kam pasur një problem të veçantë por kur ka qenë nevoja dhe mundësia ai dhe unë i kemi thënë gjërat”, – deklaron kreu i PS-së në Shqipëri.