Kryeprokurori i Antimafias: Kriminaliteti sot merret dhe me kokainë, bashkë me Ndraghetën

0
6

Mafiozët shqiptarë kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës dhe interesat e tyre po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë. Thënë kjo nga Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero De Raho, është një kambanë e fortë alarmi për Shqipërinë.

Në një intervistë për News 24, De Raho thotë se mafiozët shqiptarë veprojnë njësoj si Ndragheta italiane dhe ndryshe nga më herët janë përfshirë në trafikun e drogërave të forta.

“Kriminaliteti shqiptar është një kriminalitet, që i referohet modelit mafioz italian. Ushtron një kontroll të territorit, kryen aktivitet kriminal, në radhë të parë trafik droge. Nëse më parë ishte përfshirë në administrimin e trafikut të marijuanës, sot merret edhe me kokainë, bashkë me Ndraghetën. Kriminaliteti shqiptar ka hyrë në një rreth kriminaliteti të lartë, pra një rreth që arrin që paratë t’i investojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Arrin të infiltrohet në ekonomi dhe të krijojë lidhje me çfarëdo eksponenti të politikës, atje ku si në Itali, lëviz duke u ballafaquar me subjekte, që në dukje janë profesionistë, pra njerëz ndonjëherë edhe të institucioneve, të cilët janë të lidhur me subjekte të nivelit të lartë, dhe arrijnë të administrojnë interesat e krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve të infiltrimit, gjithmonë e me të thella”, tha Raho.

Për kryeprokurorin e Antimafias, trafiku i drogës është aktiviteti kryesor i grupeve kriminale shqiptare, porse kundër tyre duhet një reagim i fortë jo vetëm nga institucionet ligjzbatuese, por edhe nga politika, për të penguar infiltrimin e tyre.

“Trafiku i narkotikëve përbën aktivitetin kryesor të kriminalitetit, në këtë kuptim është i lidhur me kriminalitetin e Ndraghetës, prandaj është projektuar për një treg europian. Këtë duhet ta theksoj gjithmonë. Sot kemi përpara syve një kriminalitet gjithmonë më të vështirë për ta dalluar, sepse ai fshihet nën profesionistët apo në figura që janë në gjendje të ushtrojnë aktivitet ekonomik të nivelit të lartë. Prandaj politika, ka një rol thelbësor që të ndalojë, pengojë dhe largojë infiltrimin e mafias”, shtoi ai më tej.