Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, del me deklaratë lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit.
Ai tha se deri tani Zyrat e Gjendjes Civile kanë printuar dhe publikuar listat me të dhënat paraprake për çdo zgjedhës.
“Ne u bëjmë thirrje dhe një herë zgjedhësve që të kontrollojnë emrin e tyre në listën elektronike të zgjedhësve të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri më datë 21 maj 2019 është e hapur mundësia për t’iu drejtuar Zyrave të Gjendjes Civile ku kanë të regjistruar vendbanimin e tyre për të plotësuar apo saktësuar të dhënat e listës. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare”, u shpreh Zguri.
Ai deklaroi se zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate.
Më tej evidentoi se në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë.
Sipas Zgurit, ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cenon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista.
“Ky fenomen i kundraligjshëm lë gjurmë, ndaj është i verifikueshëm dhe i provueshëm lehtësisht. Zgjedhësit e zhvendosur artificialisht regjistrohen masivisht në adresa artificiale. Është e lehtë të konstatohet se kur në një apartament figurojnë 10, 20 apo 30 familje, atëherë në këtë bashki, kryetari i bashkisë dhe përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile kanë organizuar, në bashkëpunim, zhvendosjen artificiale të vendbanimit të zgjedhësve, kanë kryer shpërdorim detyre”, deklaroi kryetari i KQZ.
Ai tha se auditët e emëruar nga KQZ që mbikëqyrin listat e zgjedhësve do të merren posaçërisht me investigimin e këtij fenomeni dhe se KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor.
Zguri deklaron se po bëhet ky paralajmërim publik, me qëllim që të mos ketë kryetarë bashkish që tentojnë për të bërë këtë formë manipulimi.
Ai iu bëri thirrje përgjegjësve të zyrave të gjendjes civile që të marrin masa e të kontrollojnë të gjitha aplikimet që u vijnë për ndryshim vendbanimi në këtë periudhë dhe zgjedhësit, të cilëve u kërkohet të bëhen pjesë e skemave të tilla të manipulimit, të refuzojnë bashkëpunimin në krim.
Në vijim shtoi se midis KQZ-së, mazhorancës dhe opozitës nuk ka asnjë konflikt në trajtimin e këtij fenomeni dhe se ai është kundërligjshmëri që autorët e bëjnë në konflikt të pastër interesi dhe në dëm flagrant të zgjedhjeve.
“Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publiksht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit. Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian”, deklaroi ndër të tjera, kryetari i KQZ.