Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla është pyetur nga gazetarët gjatë ditës së sotme mbi rastin e Sali Berishës, sa kohë që Lulzim Basha e ka përjashtur nga grupi parlamentar i PD-së.
Nikolla tha se pavarësisht vullnetit me shkrim që shprehin vetë deputetët, si në rastin Berisha, janë kryetarët e grupeve ata që më pas vendosin dhe përbërjen dhe pranimet.
“Do të ketë vetëm referencën që lidhet me rregulloren e Kuvendit, e cila thotë se çdo deputet e thotë me shkrim grupin që do të jetë pjesë, dhe janë kryetarët e grupeve parlamentare ata që bëjnë grupin. Grupi e ka nxjerrë jashtë zotin Berisha dhe funksionojnë si deputet pa grup parlamentar, Zoti Berisha nuk është i vetmi, janë 8 deputetë që nuk kanë grup parlamentar”, tha Nikolla gjatë fjalës së saj.
Pas vendimit të SHBA për ta shpallur ‘’non grata’’ Berishën, Basha vendosi përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi parlamentar, ndërsa ky i fundit ka nisur takimer me bazën.