Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar problematika në Rrugën e Arbrit. Mësohet se ky aks është bllokuar dhe që prej orëve të para të mëngjesit po punohet për pastrimin e saj.
Policia ndodhet në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë shoferëve, ndërsa thekson drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
“Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonat malore të qarkut Dibrër kanë rënë reshje dëbore dhe për këtë shkak, aksi i rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë, është bllokuar dhe subjekti kontraktor për mirëmbajtjen e rrugës po punojnë për pastrimin dhe hapjen e saj.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital”, thuhet në njoftimin e Policisë.