Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe homologu Edi Rama, janë duke mbajtur në Prishtinë një konferencë të përbashkët. Kurti ka treguar se për çfarë kanë diskutuar dy liderët dhe janë zotuar për më shumë bashkëpunim në të ardhmen.
“Biseduam me të gjitha fushat e qeverisjes sonë dhe u zotuam që e shohim shumë të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin gjithandej. Biseduam dhe për avancimin e marrëveshjeve të përbashkëta. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe të fillojmë përgatitjet, me synimin që mbledhja të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor”, tha Kurti.
Më tej, kryeministri i Kosovës tregoi se me Ramën ka biseduar dhe për krijimin e sa më shumë lehtësirave për tregtinë mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Gjithashhtu, të dy kanë rënë dakord për krijimin e një sekretariati koordinues mes dy vendeve.
“Ramë dakord që të kemi dhe një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale, i cili do të drejtohet nga zoti Gentian Sala, i cili mban pasaportën e dy vendeve”, tha Kurti.