Kryeministri, Albin Kurti është takuar ditën e sotme në zyrën e tij me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar. Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, bëhet e ditur se ai e ka uruar Kurtin për fitoren dhe ka shprehur vullnetin për të vazhduar bashkëpunimet midis dy vendeve.
“Ambasadori Sakar e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin për urimet dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, ata kanë diskutuar dhe për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, ku Kurti ka thënë se marrëdhënia me Izraelin është e rëndësishme, ndërsa vendi i hapjes do të rishikohet.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje,”.