Kush do të jetë Prigozhini i Ramës

0
114
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rebelimi i trupave Wagner që tentuan të marshojnë drejt Moskës duke mbajtur në ankth kancelaritë më të rëndësishme të globit, është ilustrimi më i mirë se diktaturat mund të lëkunden nga frankeshtajnët që krijojnë vetë. Në të gjitha drejtimet, Jevgeni Prigozhin ishte një prodhim i carit rus. Ish-i dënuari me burg për 9 vite, i njohur me nofkën “kuzhinieri i Putinit”, pati një ngritje të shpejtë me fillimin e shekullit të ri, duke pritur në restorantin e tij, së bashku me presidentin rus edhe Xhorxh Bushin apo Zhak Shirakun. Ai i shërbeu për një kohë të gjatë shefit të Kremlinit, si me fabrikat e trolleve që shpërndanin lajme të reme për të destabilizuar demokracitë perendimore, po ashtu dhe me mercenarët e Wagner, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Siri, Mali apo gjetkë. Me paratë, mbështetjen dhe favoret që i jepte Putini ai arriti të ngrejë një perandori brenda perandorisë, që i shërbente Moskës për të bërë punët më të pista që shteti nuk i merrte dot përsipër.

Por, ashtu sikurse ndodh me të gjithë ata që banditizmin e kanë në gjak, prandaj nuk sillen dot si aparatçikët e zakonshëm kokëulur të diktaturave, pas vitesh të tëra shërbesash edhe Jevgeni Prigozhin, u rebelua. Ai shpalli se do të marshonte drejt Moskës me 35 mijë trupat e tij, për të çliruar popullin rus, duke akuzuar drejtuesit ushtarakë se po e përdornin për përfitime personale luftën në Ukrainë. Natyrisht, kronika tregoi se ai u tërhoq, të paktën përkohësisht, falë një negocimi të presidentit bjellorus, Lukashenko.
Por, si frika që shfaqi regjimi i Kremlinit në orët e marshimit drejt Moskës, si dhe kushtet e turpshme të paqes, tregojnë se Putini ishte tejet i dobët, ndaj monstrës që lindi prej gjirit të tij. Ai i tërhoqi të gjitha akuzat penale për tradhëti ndaj Jevgeni Prigozhinit, i amnistoi të gjithë luftëtarët e tij, vetëm që rebelimi të shuhej. Eshtë paradoksale në dukje për një diktaturë, që në pozita force, të bëjë pakt me ata që e sfiduan në zemër të pushtetit të saj.

Por ka raste kur ndodh edhe kështu. Në regjime ku partitë politike luajnë vetëm rolin e fasadës, ku mediat dhe drejtësia janë nën zgjedhë, ku opozita luftohet, shkallmohet e shkërmoqet, rreziku mund të vijë vetëm nga sisteme paralele që ushqehen dhe rriten në mënyrë okulte brenda pushtetit personal të liderit. Faktet treguan se Putini i trembej më shumë një banditi të pasur dhe të armatosur si Jevgeni Prigozhin sesa asketizmit puritan dhe denoncimeve me fakte therrëse të Navalnit.

Natyrisht, në përmasa ekstremisht më të vogla dhe në rrethana tejet më qesharake, i njëjti skenar nuk mund të përjashtohet as në Shqipëri. Në dhjetë vite pushtet Edi Rama ia ka dalë të shembë të gjitha themelet e një sistemi demokratik. Ai ka ndërtuar një pushtet personal të mbështetur mbi oligarkët me të cilët shkëmben favore financiare, kontrollon politikën dhe mediat dhe mbi botën e krimit që e ‘tolereon” në këmbim të rolit që luan në zgjedhje. Por, sado të nënshtruar të ngjajnë këta aleatë të rilindjes sot, ashtu sikurse dukej Jevgeni Prigozhin ndaj Putinit, ata kanë grumbulluar aq shumë fuqi, para apo lidhje të nëndheshme, sa mund të shndërrohen në një rrezik për pushtetin personal të njishit. Disa prej tyre kanë sot imunitet juridik dhe mediatik po aq të madh se vetë Rama. Disa të tjerë kanë parti që për herë të parë e lanë pas me vota PS-në.

Dhe në kushtet kur shumica e njerëzve janë nënshtruar, kur shoqëria civile është atrofizuar, kur opozita është masakruar, një puç brenda pallatit të së keqes nuk është i pamundur. Kur demokracia kthehet në fasadë dhe kur magjia ekuilibruese që ajo garanton asgjesohet, nuk përjashtohet që përmbysjet të ndodhin nga ndeshja mes bandave. Njësoj si sistemi i Putinit edhe ai i Edi Ramës është në fazën e prodhimit të frankenshtajnëve të vet. Prandaj përpos kuriozitetit, ajo që ndodhi në Rusi, duhet të na zgjojë kërshërinë si një skenar i mundëshëm për atë që ndoshta na pret./LAPSI

Zjarr Tv Ad