Personi që shihni në foton e mëposhtme është Ben Sula, hajduti serial 45-vjeçar, i cili është autor i dyshuar i disa vjedhjeve në qytetin bregdetar të Sarandës. Sula ishte kthyer në tmerrin e pushuesve, duke kryer rreth 19 vjedhje të sendeve me vlerë dhe parave në ambientet ku qëndronin pushuesit.
Policia thotë se 45-vjeçari i ndaluar, ka qenë i dënuar më parë në Itali dhe në Greqi, për të njëjtën veprimtari kriminale.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se 45-vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues, bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura” , thuhet në njoftimin e policisë.
Nga një vështrim në rrjetin social facebook, shihet se 45-vjeçari krahas “pasionit” për vjedhjen ka dhe një pasion tjetër në lidhje me ecjet në natyrë.
Ai i përgjigjet një komentuesi se sot ka bërë rreth 30 kilometra për 3-orë e 15 minuta, duke kaluar male dhe kodra pa pushim.