Kush është ‘Lili i Rrushkës’, personi që organizoi sulmin në Tushemisht

0
107

Policia ka arrestuar sot tre persona të tjerë të dyshuar si autorë të ngjarjes së ndodhur pranë një hoteli në Tushemisht, ku u qëllua me breshëri armësh, disa ditë më parë.

Tre personat janë arrestuar në pyllin e fshatit Vërdovë, Pogradec. Mes të arrestuarve është edhe Ilir Berberi. Ai u arrestua nga policia në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar. Sipas policisë dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit në Tushemisht.

Berberi është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe një emër i njohur për policinë, ku ka qenë i hetuar dhe dënuar për vepra të ndryshme kriminale.

Ilir Berberi ka qenë i dënuar për gjobvënie, vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Në Pogradec njihet si “Lili i Rrushkës”, ndërsa është hetuar edhe për disa ngjarje të rënda kriminale si për vrasjen e shefit të komisariatit në Pogradec, Argon Gjyrezi, raporton ABC News.

52-vjeçari ishte edhe një nga personat e shpallur në kërkim për sulmin me armë që u bë mbi hotel Voloreka në Pogradec, ku u qëlluan makinat e parkuara në hotel dhe po ashtu edhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit të hotelit, Jetmir Muçllari.

Po ashtu për ngjarjen në Tushemisht  janë arrestuar Ilir Meçolli, Ardian Xhuti dhe Elvir Haxhia Ndërsa dy ditë më parë u arrestua Mariglen Topuzi.