Gjatë këtyre ditëve, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta, kanë shkëmbyer akuza dhe replika në distance. Pas disa shtyrjeve, në horizont tashmë është shfaqur përballja mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, për dekretimin e Ministrave. Më 18 maj, do të mbahet seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së Këshillit të Ministrave, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, për kompetencat për dekretimin e Ministrave. Ka qenë vetë ky institucion, i cili në faqen zyrtare bën me dije se kjo mosmarrëveshje mes dy krerëve të shtetit, do të zgjidhet në javën e tretë të muajit maj.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pra, përveç debatit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ky i fundit dhe kryeministri Edi Rama pritet të përplasen me njëri-tjetrin edhe për sherrin mbi ministrat. Po si ka nisur sherri për dekretimin e ministrave mes Ramës dhe Metës? Ka qenë muaji janar i vitit 2019, kohë kur kryeministri Edi Rama propozoi si zëvendësuesin e Bushatit, Gent Cakajn. Ky i fundit u dërgua për dekretim tek presidenti Ilir Meta. Aty, Cakaj ngeci në rrjetën e skanimit të Presidencës. Meta ktheu dekretin për Gent Cakajn duke e konsideruar atë të papërshtatshëm për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me çështjen e kufijve të Kosovës, mungesën e përvojës si dhe shkeljen që ka konsumuar pasi prej 7 muajsh ka mbajtur detyrën e zv/ministrit pa qenë i pajisur më parë me certifikatë sigurie. Certifikatën e Sigurisë DSIK, Cakaj e mori 24 orë pasi aplikoi, kohë që përkonte me momentin kur qeveria e kishte propozuar për ministër të Jashtëm. Por pavarësisht kësaj, zoti Cakaj nuk u emërua kurrë në post, por ushtroi detyrën në vend të kryeministrit Edi Rama, i cili mori përsipër kompetencat e kryediplomatit.
Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto fërkime dhe përplasje, presidenti Ilir Meta ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku ka paralajmëruar se nuk do të njohë qeverinë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të cilat u fituan nga Partia Socialiste. Gjatë një konference për shtyp nga Presidenca, presidenti Meta deklaroi se zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende dhe se sipas tij, rezultati i deritanishëm mund të jetë vetëm paraprak. Madje, zoti Meta theksoi se duhet rinumëruar gjithçka, ndërsa vuri theksin te numri i madh i votave të pavlefshme që, sipas Metës duhet të hetohen.
“Ka përfunduar dita e votimit, jo zgjedhjet. I ka të gjitha mundësitë që të jetë vetëm një rezultat paraprak. Procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende ndoshta, ankimimet nuk kanë nisur akoma. Prandaj, në radhë të parë dua të falënderoj qytetarët që pavarësisht çfarë ndodhi iu përgjigjën thirrjes së presidentit, morën pjesë në zgjedhje. Së dyti, të mos harrojmë se në këto zgjedhje kemi një numër të paprecedentë të fletëve të pavlefshme. Prandaj, duhet me shumë përgjegjshmëri të mos preket më asnjë kuti dhe fletë votimi, të rinumërohet gjithçka se pamjet filmike janë atje. Është shumë e lehtë për të parë ekspertizën, nëse një fletë ka dy kryqe a i ka bërë e njëjta dorë. U bëj thirrje të gjithë forcave politike të përqendrohen duke mos cenuar më tej integritetin e këtij procesi për të rinumëruar çdo votë që është hedhur nga qytetarët”, deklaroi Meta.
Pra, fakti që Meta thotë se nuk kanë mbaruar zgjedhjet dhe injoromi që iu bëri gazetarëve kur e pyetën dje nëse do mandatojë Ramën për qeverinë e re, tregojnë se ai pritet që të mos e japë dekretin.