Gazetarët që raportojnë nga Kuvendi i Shqipërisë, u njoftuan të premten më 4 Qershor se Byroja e Kuvendit, ka vendosur të mbyllë aksesin e gazetarëve nëpër mjediset e kryesisë së kuvendit, duke ndaluar gazetarët dhe kameramanët të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe duke e zëvendësuar këtë, me transmetimet e kontrolluara nga vetë Kuvendi.
Vendimi i publikuar në faqen e internetit të parlamentit, mban datën 2 Qershor, ndryshon rregulloren e vitit 2014 dhe sanksionon që gazetarët, nuk do të mund të lëvizin më në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ku zhvillohen kryesisht seancat e komisioneve parlamentare, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar nga kuvendi, punimet e parlamentit. Kuvendi i Shqipërisë, bëhet në këtë mënyrë institucioni i rradhës që mbyll dyert për gazetarët dhe zëvendëson raportimin e pavarur me transmetimet zyrtare të kontrolluara nga zyrat e shtypit.
Koloreto Cukalli, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias i tha BIRN, se vendimi i fundit është njëkohësisht absurd për nga lloji, pasi merret nga një parlament pas zhvillimit të zgjedhjeve dhe gjithashtu i tillë që kufizon lirinë e medias dhe cënon cilësinë e raportimit.
“Gazetarëve u kërkohet të mos jenë prezent aty ku ndodh lajmi, por të përcjellin atë që i pëlqen institucionit,” deklaroi Cukalli, duke theksuar se një praktikë e tillë e mbylljes së dyerve është nisur nga partitë politike dhe është pasuar nga qeveria, për të përfunduar tani, te pushteti ligjvënës.
Rregullorja, në një kapitull të quajtur “Orientimi i masmediave”, sanksionon që rojet e kuvendit “sigurojnë shoqërimin e personave të akredituar gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend”, kur e shohin të arsyeshme ndërsa gazetarët duhet të qëndrojnë në vetëm një mjedis të përshkruar si “Newsroom”. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë Televizioni Publik Shqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, dy institucione propagande të kontrolluara nga qeveria. “Personat e akredituar, punonjës të RTSH dhe ATSH, mund të lëvizin lirisht”, thuhet në vendim. Kuvendi i jep gjithashtu të drejtë vetes në rregullore që të “organizojë intervista”, ku gazetarët duhet që të bëjnë kërkesë te zyra e shtypit.
Rregullorja e re ndryshon një rregullore të vitit 2014, në bazë të së cilës, gazetarët akreditoreshin te Kuvendi dhe kishin të drejtë të lëviznin nëpër korridore dhe të ndiqnin punimet e komisioneve nga mjedise të përcaktuara për median në sallat e mbledhjeve të këtyre komisioneve.