Ministria për Evropën dhe Punët e JAshtme në Shqipëri ka njoftuar dekretin e fundit të qeverisë, i cili përveç të tjerave parashikon se të gjithë shqiptarëve që do të udhëtojnë drejt vendit fqinj, do iu bëhet tamponi falas në aeroporte nga autoritetet italiane.
Nga ana tjetër, të gjithë qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë duhet të bëjnë testin e koronavirusit, nëse do të udhëtojnë drejt Italisë në vendet e tyre përkatëse.
MEPJ bën me dije se të gjithë qytetarët e këtyre vendeve do duhet të paraqesin testin me rezultat negativ të Covid-19, në mënyrë që të lejohet të futen në territorin italian.
Njoftimi i plotë:Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga vendimet e vendeve të ndryshme lidhur me kufizimet në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, njofton se sipas Dekretit të fundit, datë 12 gusht 2020, të shtetit italian lidhur me hyrjen në territorin e Italisë, nevojitet paraqitja e testit me rezultat negativ për Covid-19 për qytetarët e Maltës, Spanjës, Greqisë dhe Kroacisë, link: http://ëëë.salute.gov.it/portale/homeMobile.jsp.
Momentalisht, për qytetarët të cilët nuk e kanë detyrim sipas Dekretit që të paraqesin testin, autoritetet italiane kanë marrë masa që këtyre pasagjerëve t’u kryhet tamponi (falas) në momentin e mbërritjes në aeroport në mënyrë që të vijojnë më tej drejt destinacionit të tyre. Kjo masë është marrë për shtetet që nuk janë të përfshirë në Dekret, me qëllim mospërhapjen e virusit Covid-19 në Itali.
Sikurse ndodhi edhe me udhëtarët që mbërritën në aeroportin e Perugia-s me fluturimin e sotëm nga Shqipëria, ora 14:00, ekipet mjekesore italiane të vendosura në aeroport u kryen pasagjerëve tamponin falas, si dhe procedurat e tjera përfshirë deklarimin e të dhënave personale në një formular të posaçëm. Përgjigja e tamponit do të dërgohet pas 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe të gjithë qytetarët janë të detyruar të kryejnë karantinimin/izolimin në banesën e tyre në pritje të rezultatit.
Me qëllim parandalimin e situatave problematike në regjimin e lëvizjeve të udhëtarëve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ju fton që të ndiqni informacion të përditësuar mbi lëvizjen jashtë vendit. Klikoni në ëeb-in zyrtar https://bit.ly/2E2s3MZ , si dhe shfletoni rubrikën COVID -19. Në këtë hapësirë, mund të aksesoni informacionin për shtetin ku doni të lëvizni, kriteret përkatëse dhe procedurat e ligjshme që duhen plotësuar nga ana juaj, për të realizuar kalimin në shtetin tjetër.
Lutemi në mirëkuptimin e çdo qytetari, që udhëtimet të ndërmerren vetëm për arsye madhore dhe të shmangen udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës