Deputeti i PD-së Dashnor Sula teksa po komentonte sot në një studio televizive protestën që u organizua dje nga Berisha para Kryeministrisë, shprehu bindjen se nëse ndiqet strategjia e duhur, PD do vijë në pushtet.
Pasi ndau problematikat e tij me qeverinë dhe kundërshtinë e tij me amnistinë fiskale, Sula u shpreh se PD nëse ndjek strategjinë e duhur nga Berisha do të marrë 25 bashki pa hezitim.
“Unë e kam thënë qëndrimin tim që në fillim. Unë jam i dashuruar me protesta. Aty në protestë nuk ishin të gjithë demokratë. Çfarë kam vënë re unë? Unë kam parë nga të gjitha shtresat aty. Kjo në radhë të parë nuk ndodh për Berishën apo PD por sepse ‘laku’ ka vajtur deri në fund. Kjo qeveri nuk dëgjon më, kjo është bërë shumë arrogante. Me këtë qeveri nuk e zgjidh problemin protesta. Situata bëhet çdo ditë edhe më e keqe. Ndërkohë që këta pushtetarët çdo ditë pasurohen. Dhimbja e krizës duhet ndarë, jo disa të pasurohen me vështirësitë e të tjerëve. Këta bëjnë amnisti fiskale. Komisioni Evropian u deklarua totalisht kundër. Kush mund t’i ketë 2 milionë euro kesh?! Përveçse politikanë dhe krimi. Po këta që kanë bërë evazion fiskal? Këta nuk përjashtohen”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike.
Teksa u pyet sesi do arrinte suksesi i PD-së me një opozitë të përçarë Sula u shpreh se besonte te zgjuarsia e Berishës dhe se nëse do të ndante partinë nga ekzekutivi do të fitonte.
‘Shpresoj në zgjuarsinë e Berishës, nëse ai do të rritet PD ai e gjen mënyrën e bashkimit dhe bashkëpunimit të rritemi në 2023. Mbi 25 bashki do ti marr partia demokratike pa diskutim. Unë e kam një ide, po nëse Berisha do arrij të ndajë partinë nga ekzekutivi dhe të nxjerrë kandidatin për kryeministër që s’është Berisha, një figurë e pastër e ndershme që do të bëjë të mundur të bëjmë zgjedhje të parakohshme unë jam i bindur se do të kemi sukses.’- tha Sula.