Lamtumirë mjeshtri i çiftelisë Tom Nikolla

0
68
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Më 16 janar 2019 u nda nga jeta në moshën 92 vjeçare, rapsodi popullor, mjeshtri i çiftelisë Tom Nikolla. Tom Nikolla u lind në fshatin Iballë të Pukës në vitin1927 në një familje me tradita. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa atë të mesme në Shkodër. Ai filloi të aktivizohej si artist dhe organizator në grupet artistike amatore të Pukës dhe më vonë të Shkodrës, të cilat i hapën rrugën e njohjes dhe të suksesit në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Krijimi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957 përfshin krahas shumë artistëve më të njohur të vendit edhe rapsodin popullor Tom Nikolla. Po në këtë vit mori pjesë në “Festivalin e Rinisë” në Moskë dhe u nderua me “ Medalje të Artë”, medalja e parë e artë që merr një artist shqiptar në një aktivitet ndërkombëtar. Që nga ky vit fillon aktiviteti i mirëfilltë artistik, që në vitet në vijim do të njihej dhe më shumë. Në vitin 1964 mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Egjiptit ku u dekorua me “Medalje të Argjendtë”. Gjatë aktivitetit të tij artistik perfeksionoi mjeshtërinë e tij artistike në disa drejtime si instrumentist në çifteli dhe fyell, por edhe si këngëtar dhe krijues tekstesh, duke i përshtatur meloditë. Ai u kthye në një figurë mjaft të njohur në llojin e gjinisë muzikore që përcolli tek publiku i gjerë. Repertori i rapsodit ka qenë mjaft i gjerë dhe tepër i larmishëm. Deri në vitin 1975 ka punuar në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si rapsod popullor, krahas mjeshtrave si: Luçie Miloti, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi. Në 1975 filloi punë në Ansamblin e Tekstileve në Tiranë dhe në vitin 1988 ai doli në pension. Edhe pas daljes së tij në pension, rapsodi nuk e ndërpreu aktivitetin e tij artistik. Tom Nikolla mbetet personifikimi i çiftelisë dhe rapsodive popullore ashtu siç është titulluar libri monografik “Çifteli dhe këngë”. Në shtator të vitit 2000, rapsodi Tom Nikolla u dekorua me urdhrin “ Naim Frashëri i Argjendtë” dhe në qershor të vitit 2006, Bashkia e Pukës e nderoi me titullin “Krenaria e Qytetit”.

 

 

Zjarr Tv Ad