Pas përfundimit të festave, shumë emigrantë filluan të kthehen në vendet e Bashkimit Europian ku punojnë dhe jetojnë. Ata shfrytëzuan tragetet e linjave detare që lidhin Portin e Durrësit me portet italiane të Barit dhe Ankonës.
Dje u larguan afro 2.000 persona me tre tragetet e linjës, ndërsa pritet që të shtohet fluksi i udhëtarëve drejt Italisë.
Natën e kaluar, pavarësisht uljes së ndjeshmë të temperaturave në grafikun e lëvizjes së trageteve nuk janë rregjistruar vonesa.
Pas paralajmërimit të autoriteteve detare, anijet e tonazhit të vogël e të mesëm kanë marrë masat për të shmangur incidentet, ku shumë prej tyre kanë pezulluar lundrimet në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.
Mbi 55 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj kanë lëvizur gjatë muajit dhjetor nga Porti i Durrësit me tragetet e linjave detare Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës. Për nevojat e tregut vendas, po në këtë muaj drejt Durrësit kaluan mbi 3.500 kamionë dhe trajler me mallra të ndryshëm.