Lavrov bën krahasimin Kosovë-Krime në Paris

0
6

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka bërë krahasim në mes të Krimesë dhe Kosovës, teksa ka kritikuar perëndimin në një takim pyetje-përgjigje, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.

Ai ka akuzuar shtetet perëndimore për standarde të dyfishta, meqë sipas Lavrovit “kur diçka është në interes të perëndimit, ata e konsiderojnë të drejtën e njerëzve për vetëvendosje si të shenjtë, mirëpo kur diçka nuk lidhet me interesat e tyre, atëherë ata e shpallin këtë të drejtë si të paligjshme”.

Ilustrim i këtyre deklaratave ka qenë Kosova dhe Krimea.

“Krahasoni Kosovën dhe Krimenë: një referendum është mbajtur në Krime dhe nuk ka pasur referendum në Kosovë. Megjithatë Kosova është njohur menjëherë si shtet i pavarur nga shumica e vendeve perëndimore”, ka thënë ai.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014.

Referendumi i mbajtur në këtë rajon është cilësuar si i paligjshëm nga Ukraina dhe fuqitë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore kanë sanksionuar Rusinë për këtë veprim, derisa kanë vazhduar këto masa edhe për shkak të rolit të separatistëve rusë në luftimet me forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Si pasojë e këtyre luftimeve kanë vdekur mbi 10,300 persona.

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Sipas ministrisë së Jashtme të Kosovës, shtetësia e këtij vendi është njohur nga 116 shtete.