“Le të gëzohemi që jemi motra dhe vëllezër”,Kosova nuk është Kurti dhe Shqipëria Rama, le të bashkohemi dhe të përmirësojmë atë që nuk shkon mire

0
670
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjatë ditëve të fundit kryefjala e mediave në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë koncerti “Sunny Hill”, i cili këtë vit u zhvendos në Tiranë duke krijuar kështu një sërë polemikash.

Arsyeja e zhvendosjes së këtij koncerti në vendin tonë, ishte se qeveria e Kosovës nuk kishte siguruar lejen për vendin ku do të mbaheshin 5 ditët e koncertit. Kaq mjaftoi që shqiptarët të fajësonin qeverinë e Albin Kurtit, të ngrinin akuza për kryeministrin Rama, madje dhe të futeshin në analiza dhe krahasime se kush nga dy kryeministrat po qeveris më mirë.

Së fundmi, aktivistja e Shoqërisë Civile, Delina Fico, ka reaguar dhe ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë që t’i japin fund këtij “konkursi të shëmtuar” se kush ka qeverisje më të mirë deri më tani, Rama apo Kurti.

Sipas Ficos Kosova nuk është Albin Kurti dhe Shqipëria nuk është Edi Rama dhe se të dy kryeministrat janë zgjedhur nga shumica e qytetarëve.

Ajo kërkon që të gëzohemi për gjërat që shkojnë mirë në të dyja vendet dhe të pranojmë me përulësi dashurinë që na japin shqiptarët nga ana tjetër e kufirit dhe të mos vendosim kushte.

Postimi i plotë:

Kam një lutje shumë dashamirëse për miqtë e mi në Kosovë dhe në Shqipëri: ju lutem, ju lutem, ndaleni këtë konkurs të shëmtuar e të pamençur se kush i bën/kush i ka më mirë punët në politikë, ekonomi, kulturë, të drejtat e njeriut, mbrojtje të mjedisit, etj., – Kosova apo Shqipëria; se kush bën më shumë për njeri-tjetrin – Kosova për Shqipërinë apo Shqipëria për Kosovën.

E para, në Kosovë e Shqipëri ka njerëz të mirë ose të këqinj, të talentuar ose jo, patriotë ose jo, e të tjera, dhe nuk mund të futen në një thes të gjithë njerëzit, as në Kosovë, as në Shqipëri. E dyta, Kosova nuk është Albin Kurti dhe Shqipëria nuk është Edi Rama. Të dy kryeministrat i kanë zgjedhur më shumë se 50% e votuesve në vendin përkatës dhe ata janë drejtues politikë e publikë në vendet përkatëse për një periudhë të caktuar. Shoqëria, jeta, vendi në Kosovë dhe Shqipëri janë shumë më shumë se këta dy drejtues publikë e vijnë para tyre e do të vazhdojnë pas tyre. S’të pëlqen Albin Kurti? Krejt OK. S’të pëlqen Edi Rama? Krejt OK. Por kjo nuk mund të përkthehet në nxjerrjen e lupës nga xhepi për të vënë në pah e gjykuar çdo gjë që, sipas mendjes tënde, nuk shkon mirë në anën tjetër, e aq më pak, për të sharë njëri-tjetrin, për të ngjallur përçarje mes dy shoqërive tona, mes njerëzve të një gjaku, historie e gjuhe.

Ndaleni këtë konkurs të helmuar e mediokër.

A mund të gëzohemi për atë që shkon mirë në Kosovë apo në Shqipëri? A mund të pranojmë me dashuri e përulësi atë sasi dashurie e përkrahje që na jep shqiptari nga ana tjetër e kufirit, e të mos vemë kushte për sasinë dhe cilësinë e kësaj dashurie e përkrahjeje? A mund të gëzohemi që jemi vëllezër e motra, por, po ashtu dhe po aq e rëndësishme, se jemi individë e komunitete me dritëhijet tona të veçanta e jo kopje identike të njeri-tjetrit? A mund të bashkohemi me dashuri e respekt reciprok për të përmirësuar atë që nuk shkon mirë këndej and andej kufirit? Nëse jo, a mund të shikojmë e trajtojmë me respekt atë që shqiptarët vendosin të bëjnë dhe bëjnë aty ku jetojnë: në vendin, qytetin, fshatin e lagjen e tyre, pa ju dhënë tundimit për të dhënë mend për çdo gjë që ndodh në jetën e një komuniteti tjetër ku nuk jetojmë dhe kontribuojmë drejtpërsëdrejti?

Zjarr Tv Ad