Legalizimi i kanabisit/ Ish-ministri i Ramës skeptik për nismën e Qeverisë: Dalin me humbje nafta dhe kromi që shfrytëzohen nga privati! S’ma merr mendja që do fitohet…

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është dyshues ndaj nismës së qeverisë për kultivimin e kanabisit se nuk do të justifikojë qëllimin bazë, për efekte shëndetësore.

Në një intervistë për “Panorama”, Sandër Lleshaj specifikon se nëse prodhimi i kanabisit mjekësor do të duhej të provohej patjetër, rruga më e mirë do të ishte prodhimi i tij nga një ndërmarrje publike, ashtu si dhe në disa vende të tjera.

“Përderisa tek ne dalin me humbje edhe nafta apo kromi që shfrytëzohen nga privatë, nuk ma merr mendja që kanabisi mjekësor do të sjellë ndonjë ndryshim të tendencave të konsoliduara tashmë”, tha Lleshaj.

Shqipëria po përballet me rritjen e kriminalitetit, me një ekonomi në kolaps, plot vështirësi për të gjetur burimet e mjaftueshme financiare për zhvillimin e aktiviteteve të saj ndërkohë që vendos të legalizojë me ligj kanabisin në vend. Informaliteti që ekziston në vend a e bën të pamundur menaxhimin e situatës?

Unë jam shprehur për këtë iniciativë edhe përpara disa kohësh tek ju. Në thelb, unë nuk besoj se ajo do të justifikojë qëllimin bazë të shprehur nga autorët e saj. Shpresa për një përfitim të qenësishëm financiar publik është e pa argumentuar. Përderisa tek ne dalin me humbje edhe nafta apo kromi që shfrytëzohen nga privatë, nuk ma merr mendja që kanabisi mjekësor do të sjellë ndonjë ndryshim të tendencave të konsoliduara tashmë. Aq më e qartë bëhet kjo po të marrim parasysh faktin se këtë kanabisin mjekësor e prodhojnë tashmë edhe shumë vende të tjerë, me të cilat konkurrimi nuk është aq i thjeshtë. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë edhe ndërlikimin shtesë që kjo iniciativë do të sjellë për veprimtarinë e organeve ligjzbatuese të cilat gjithsesi janë të mbingarkuara në përballimin e një situate jo të thjeshtë të kriminalitetit.

A është zgjidhja e duhur sipas jush që përfituesi i licencës ose një aksioner i tij, duhet të zotërojë 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e OECD-së, zotërues i praktikës së mirë të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat dhe të kenë një kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100.000.000 lekë?

Nëse prodhimi i kanabisit mjekësor do të duhej të provohej patjetër, mendoj se rruga më e mirë do të ishte prodhimi i tij nga një ndërmarrje publike, ashtu si dhe në disa vende të tjera. Por kjo tema e ndërmarrjeve publike këtu ka vdekur që kur filloi zbatimi i vonuar i praktikave të kapitalizmit të Adam Smith, në një kohë që Europa e kishte tejkaluar prej kohësh atë sistem, përmes ekonomisë sociale të tregut.

Përkrahësit e iniciativës thonë se kjo do të nxisë punësimin, eksportet dhe të ardhurat nga taksat dhe tërheqjen e investimeve të huaja, por në të vërtetë a e legalizon krimin?

Në Gjermani, meqë sot po mbetemi te shembujt gjermanë, një fermë bujqësore ka mesatarisht 65 hektarë dhe administrohet si rregull nga një familje. Këtu te ne, kam lexuar se sipërfaqja e mbjellë me kanabis mjekësor nuk do t’i kalojë 150 hektarët. Me kaq sipërfaqe nuk mendoj se mund të ushqejmë iluzionin e ndonjë efekti të ndjeshëm në punësim. Edhe më e vogël do të jetë pritshmëria në elementët e tjerë që ju përmendni. Nga ana tjetër, unë shoh sfida të reja për luftën kundër krimit, ndërkohë që nuk mendoj se ky ligj do të legalizojë krimin. Jo ligji as nuk legalizon krimin, por as nuk e thjeshton luftën kundër tij.

Zjarr Tv Ad