Zëdhënësja e KE Ana Pisonero i është përgjigjur interesimit të Fax News në lidhje me legalizimin e kanabisit mjekësor nga qeveria Rama, një nismë kjo e kritikuar nga opozita e Tiranës dhe jo vetëm. Në reagimin në emër të KE, thuhet se po ndiqet me vëmendje i gjithë debati në Shqipëri, ndërsa vendoset theksi te pasja apo jo e kapaciteteve kontrolluese nga ana e shtetit. Sipas KE është e sanksionuar qartë se duhet të ndalohet përdorimi i kanabisit për qëllime të tjera, dhe kjo do të kërkonte rritjen e kapaciteteve kontrolluese nga ana e shtetit.
Reagimi i plotë për Fax News:
I dashur Eduart,
Ju falenderoj për mesazhin dhe pyetjet e bëra, dhe ndjesë për vonesën. Përgjigja e mëposhtme është në emër të Zëdhënëses së Komisionit Europian, Ana Pisonero. BE po shikon me kujdes qëllimin e qeverisë shqiptare për të propozuar një ligj që lejon kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Shqipëria bën pjesë në Konventën Unike për Barnat Narkotikë të vitit 1961. Kjo Konventë ndalon kultivimin dhe tregtimin e kanabisit, por ka përjashtime kur bëhet fjalë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe shkencore për aq kohë sa kushte të caktuara plotësohen. Disa shtete, përfshirë këtu vende të BE-së, i zbatojnë këto përjashtime.
Konventa përcakton kërkesa strikte, në mënyrë të veçantë sa i takon kapaciteteve administruese, në mënyrë që të kontrollohet prodhimi dhe të rregullohet furnizimi me kanabis për qëllime mjekësore, por gjithashtu të ndalohet përdorimi për qëllime të tjera. BE ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë në luftën kundër krimeve të lidhura me drogën, përfshirë këtu kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në Shqipëri, si dhe do të vijojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë që të parandalojë në mënyrë efikase këtë fenomen, por edhe të forcojë kapacitetet ligjzbatuese në këtë aspekt.
Prandaj, çdo iniciativë që lejon kultivimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor duhët që të vlerësohet në mënyrë shteruese duke marrë parasysh kapacitetet ligjzbatuese dhe administruese të shtetit. Ne do të vijojmë të monitorojmë këtë çështje me vëmendje.