Oana Glasu, përkthyese e letërsisë shqipe në Rumani i shkruan shkrimtarit Avdulla Kënaçi, i cili jeton në Kanada. Një letër e ndjerë dhe shumë personale që bëhet publike nga Newsbomb.al me lejen e autores. Oana, është një rumune e dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët, ku ka kaluar një pjesë të bukur të jetës së saj gjatë studimeve universitare. Ajo dhe shkrimtari nuk janë takuar kurrë, por i lidh një miqësi virtuale që ka lindur nga letërsia.
“Të rrëfej, i dashuri im, se e shikoj largimin tënd nga Shqipëria me keqardhje. Për mallin tënd që nuk do të shuhet, dhe sepse duke na treguar se çfarë bëje, si i kaloje pushimet, unë sillesha pothuajse si një fëmijë para fotografisë dhe sikur me magji e lejova veten të më çonte nëpër të gjitha vendet që ke parë përsëri, dhe tani më duket sikur dhe unë i braktis prapë.”- shkruan ndër të tjera përkthyesja rumune.
Letra e plotë:
Avdulla, miku im i dashur,
Është letra e parë që e drejtoj një shkrimtari shqiptar dhe që do të bëhet publike. U vonova për të të folur për librat që i ke shkruar me shumë dashuri dhe në stilin tënd, me të cilin identifikohesh vetëm ti, ndoshta, dhe falë profesionit të gazetarit, reporterit që ke ushtruar për një kohë të gjatë. Sot, shumë pak dinë të bëjnë përshkrime përmes syve të reporterit. E pashë që po largoheshe nga Durrësi dhe e di që do të qëndrosh dhe pak në Shqipëri, por nuk doja që të ikësh nga vendi yt pa marrë letrën time, e cila do të të shoqërojë deri në ardhjen e ardhshme, kur, ndoshta, ne do të takohemi.
Surpriza e parë që pata duke të lexuar ishte stili i bardhë, rrëfimi i thjeshtë, pa fishekzjarrë, leksiku i ndërtuar nga shprehjet më të bukura të zonës tënde të lindjes, fjalë të vjetra të një ngarkese të veçantë shpirtërore. Ti shkruan në mënyrë autobiografike pa frikën e ekspozimit ndaj lexuesit, pikërisht sepse qëllimi yt është të zbulosh ngjashmëri tek tjetri me ndjenjat dhe përvojat e tua. Por edhe sepse njerëzit më pak të talentuar për t’i ndarë ato me botën, gjenden në shkrimet e tua si ngjarje të jetës. Ata që shkojnë dhe shikojnë përtej pasqyrës, do të gjejnë gjëra shumë të sakta në tregimet e tua: erudicion, punë me libra, saktësi filologjike, shqetësime për situata të ndryshme në shoqëri, meditim mbi kuptimin e jetës, historisë, njerëzimit dhe të gjitha këto i ke ndjerë dhe transpozuar nga pozita e një të huaji në tokat e largëta. Unë mendoj se kjo është arsyeja pse fjalët e tua lëvizin kaq shpejt, në drejtime të ndryshme, saqë ngatërrojnë skajet e tyre, bashkohen, shpërthejnë në grumbuj kuptimesh befasuese. Sa kthjelltësi, aq shumë ironi në shumë nga tekstet e tua. Personazhet janë të gjallë, të ndërtuar dhe të vendosur sipas tekstit në hapësirat e një normaliteti që dikton vetëdija jote, duke të afruar me realitetin sesa me ëndërrimin.
Pa hyrë në analiza të hollësishme, kam qenë në gjendje të vërej në shkrimet e tua veçori të thella që meritojnë vëmendje të veçantë. Gjegjësisht, një ndjenjë e fortë e familjes, një strukturë shumë e artikuluar dhe madje e ngurtë e sistemit shoqëror, qofshin disa fshatarë, punëtorë apo familje në shoqërinë e lartë. Njerëzit shkruajnë për kënaqësinë, dhe kujtimi i disave është përrallor, ashtu si i yti. Zotëron saktësinë e emrave, ngjarjeve, detajeve dhe kjo është arsyeja pse historitë e tua përbëhen nga fatet e vërteta. Sa herë që të lexoja kisha përshtypjen se ndan gëzim, mirësi. Nuk mungon dashuria në asnjë nga shkrimet e deritanishme, por deri aty tek dashuria, ti rikthen në vëmendjen e lexuesit faktin se ka edhe rënie në dashuri, të cilën shumë, të rinj apo jo, e harrojnë sot. Unë dua të flas me ty më shumë për këtë. E kuptova shumë mirë që ne ngjajmë si qenie shumë kohë para se të të lexoja. Dhe kjo sepse ti më kishe lexuar dhe më kishe interpretuar dhe njohur përmes poezisë sime. E cila nuk mund të jetë tjetër përveç ajo që përshkruan pikërisht këto gjendje, të cilat ne i harrojmë, edhe pse ato nënkuptojnë bukuri, dhe të cilat ti i kap dhe i ngjall shumë mirë në prozën tënde.
Të biesh në dashuri vjen nga thirrja e bukurisë së atij me të cilin je dashuruar, por edhe e jotja. Sigurisht, nuk mund të bëhet fjalë për atë bukurinë fizike. Ne po flasim për bukuritë parësore, të pastra, të thjeshta që lehtësojnë dashurinë. Bukuria njerëzore është joshëse, është një fruth i brendshëm i pashembullt, i cili në një moment ulet, zë vend në fytyrë, del në sipërfaqe dhe bëhet dashuri në një botë drite. Sepse dashuria e nxjerr atë nga njeriu dhe e bën intensive dhe përkëdhelëse. Më në fund, si çdo letër që një grua ia drejton një burri, ajo mund të bëhet e përlotur në fund. Të rrëfej, i dashuri im, se e shikoj largimin tënd nga Shqipëria me keqardhje. Për mallin tënd që nuk do të shuhet, dhe sepse duke na treguar se çfarë bëje, si i kaloje pushimet, unë sillesha pothuajse si një fëmijë para fotografisë dhe sikur me magji e lejova veten të më çonte nëpër të gjitha vendet që ke parë përsëri, dhe tani më duket sikur dhe unë i braktis prapë.
Ja, nuk kam pasur sekrete të mëdha për të ndarë, të cilat t’i kisha fshehur nga bota, por përkundrazi, bota duhet të mësojë të shprehet lirshëm, duke shfaqur çdo lloj ndjenje natyrore, për aq sa ka kohë.
Të përqafoj me dashuri!
Oana Glasu