Administratori i Universitetit të Tiranës i është drejtuar sot me anë të një letre Policisë së Shtetit teksa kërkon që të merren masat e duhura për rikthimin e qetësisë në auditorët e UT-së.
Mes tjerash në letrën drejtuar Drejtorit të Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe atij të Tiranës, shprehet shqetësimi se disa individë të caktuar po pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe si e tillë kërkohet t’i jepet fund kësaj sjelljeje.
Gjatë ditës së djeshme, por edhe sot shumë studentë kanë vijuar të protestojnë tek Ekonomiku dhe Juridiku, ndërsa kanë apeluar se qëndresa e tyre do të jetë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Shefi i qeverisë tha gjatë ditës së sotme se për të gjithë studentët që kanë një mesatare të mirë dhe që janë me ndihmë ekonomike do të ketë masa lehtësuese në aspektin e tarifave, ndërsa pjesa tjetër, e cila nuk ndodhet në këtë nivel duhet të paguajë detyrimet e plota.
“Lutemi asistencën e Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë dhe rendit publik nëpër auditorët e Fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Prezenca e Policisë së shtetit ndihet e nevojshme në kushte kur studentët kanë filluar mësimin normalisht, por nga parashikimi i situatës në terren nga Administratorët e Fakulteteve, rezulton se ka bllokime të vazhdueshme të ambienteve të Fakulteteve. Vlerësohet se ndodhemi në kushtet kur situata paraqitet e renduar, me pasoja negative dekrete në një numër të konsiderueshëm qytetarësh (personel e studente) dhe prezenca ka si qëllim vendosjen e normalitetit në ambientet e UT-së”, thuhet në letër.