Letra e Holandës për Shqipërinë: Hetimi për patronazhistët, kusht për BE…

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Holanda ka qenë një ndër vendet më skeptike, për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndryshe nga raportet “e sheqerosura” të Komisionit Evropian, qeveria holandeze dhe sidomos parlamenti i këtij vendi, nuk e kanë marrë asnjëherë të mirëqenë atë që shkruhej në letrat e Brukselit, por kanë nisur misione verifikuese në vendin tone, me përfaqësues nga parti të qeverisë dhe të opozitës.

Lapsi.al, ka siguruar letrën që Ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid A.M. Kaag i ka dërguar parlamentit të saj më 4 Qershor, me opinionin e qeverisë për ecurinë e reformave në Shqipëri. Qeveria e Holandës, bie dakord me analizën e Komisionit Europian se zgjedhjet në 25 prill, u zhvilluan normalisht dhe në mënyrë transparente dhe se e rëndësishme është që opozita do të kthehet në parlament. Por në letër ngrihen një sërë detyrash ku më të rëndësishme janë hetimet për parregullsitë.

“Qeveria (e Holandës) e konsideron të rëndësishme që rastet e mashtrimit zgjedhor të hetohen me kujdes nga SPAK” – thuhet në letër që i ka kushtuar edhe një vëmendje të veçante edhe çështjes së përdorimit të paligjshëm të të dhënave nga Partia Socialiste, një skandal i denoncuar nga lapsi.al dhe i njohur si afera e patronazhistëve. Në këtë pike, Holanda kërkon që çështja të zbardhet. “Ekzistenca dhe rrjedhja e bazës së të dhënave me informacione personale të ndjeshme, të cilat shkaktuan shumë bujë pak para zgjedhjeve do të duhet gjithashtu të hetohet. Raporti përfundimtar i ODIHR-it për këto zgjedhje nuk është publikuar ende. Qeveria e Holandës e konsideron të rëndësishme që çdo rekomandim në këtë raport të zbatohet në kohën e duhur” – thuhet në letrën e siguruar nga lapsi.al. Një tjetër çështje që i kërkohet Shqipërisë të adresojë është shit-blerja e votës.

“ODIHR ka përmendur parregullsi, përfshirë edhe blerjen e votave që të denoncohen në Kolegjin Zgjedhor dhe autoritete të tjera që ato të merren me këto çështje në mënyrën e duhur. 33 raste janë çuar përpara SPAK” – nënvizon dokumenti. “Qeveria e Holandës beson se autoritetet shqiptare tani duhet t’i japin substancë të mëtejshme hetimit dhe të ndjekin penalisht komisionerët e zgjedhjeve dhe votuesit e përfshirë. Rastet e reja të paraqitura si rezultat i zgjedhjeve të fundit gjithashtu kërkojnë trajtim të shpejtë. Është e rëndësishme të parandalohet që këto hetime të mos vonohen, siç ishte rasti në zgjedhjet e mëparshme” – shkruan qeveria e Holandës. Më pas dokumenti merr në analizë të gjitha kushtet e vëna një vit më parë. Vlerësohet fakti që Gjykata Kushtetuese, ka nisur të funksionojë dhe që po plotësohet edhe Gjykata e Lartë. Gjithsesi qeveria e Holandës kujton se ende nuk ka një vendim për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-ës duke e konsideruar këtë një kusht të papërmbushur dhe e lë sërish në konkluzionet përfundimtare si detyrë të Gjykatës Kushtetuese.

“Ende nuk ka një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në 2019. Kabineti shpreson që paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të arrijë një përfundim së shpejti” – citon letra drejtuar parlamentit holandez. Një tjetër detyrë është vënia përpara drejtësisë e zyrtarëve të lartë që shkelin ligjin. “Qeveria është e kënaqur që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër korrupsionit. Të dhënat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, megjithëse numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet shqetësues”. Qeveria e Holandës thotë në fund se Shqipëria mund të nisë negociatat, duke mbajtur tryezën e parë ndërqeveritare edhe pse nënvizon se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është gati të bëhet anëtare e BE.

“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria së shpejti do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Reformat e sundimit të ligjit janë larg nga të plota dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë. Institucionet duhet të forcohen, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në sistemin e drejtësisë.Progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Holanda”– thuhet në letër.

Zjarr Tv Ad