Rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari kriminale janë sekuestruar sot në Lezhë.
Policia deri më tani nuk i ka bërë publik emrat e poseduesve të pasurive të sekuestruara.
Llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme me vlerë 5.2 milionë euro janë sekuestruar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Sipas policisë ata janë në pronësi të dy shtetasve dhe dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
“Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019″ informon policia e shtetit.
Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale rreth 5.2 milione Euro dhe 7 apartamente.