Liberalizimi i vizave për Kosovën, Gjermania pro Franca kundër

0
28
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian dhe Komisioni Europian mendojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe se liberalizimi duhet të ndodhë. Por, ende nuk kanë një përgjigje se kur mund të jetë në rend dite vendimi për këtë çështje në Këshillin e Bashkimit Europian.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se Komisioni në vjeshtë, kur do të nxjerrë paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në to do të përfshijë edhe vlerësimin rreth përmbushjes së kritereve për liberalizim vizash nga ana e Kosovës.

Në këtë moment pritet që Komisioni të përsërisë se Kosova vazhdon të përmbushë kriteret e nevojshme dhe se Komisioni e mban rekomandimin që vizat të hiqen për udhëtimin e shtetasve të Kosovës në vendet e BE-së dhe vendet tjera të zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare formale të BE-së si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Litenshtajni raporton Telegrafi.

Nga disa burime diplomatike është dëgjuar se disa shtete të cilat hezitojnë të mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, siç është rasti me Francën kërkojnë një vlerësim të ri për të parë nëse Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet apo jo. Këto vende kanë disa vërejtje në fushën e sundimit të ligjit dhe disa shqetësime për numrin e azilkërkuesve nga Kosova, i cili, ndonëse është i vogël, megjithatë ekziston, sidomos në Francë.

Parlamenti Evropian po ashtu vazhdon të mbështesë liberalizimin e vizave. Për më tepër, shumë deputetë të Parlamentit Evropian i janë drejtuar Presidencës Gjermane që të vendosë në rend dite dhe të sigurojë që edhe për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat.

Pengesa e vetme për liberalizim vizash tash qëndron te vendet anëtare të BE-së të cilat, me shumicë të kualifikuar duhet të vendosin në Këshill.

Burimet zyrtare nga Ministria e Jashtme Gjermane kanë thënë se Gjermania vlerëson përpjekjet e Kosovës në vitet e fundit në mënyrë që të përmbushen të gjitha kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, të njëjtat burime rikujtojnë se vendimi për këtë duhet të merret në Këshill të Bashkimit Evropian.

Zjarr Tv Ad